Kosovë

Ganimete Musliu: S’do ta lejojmë askënd të negociojë me Radojçiqin për vlerat e luftës

Pas protestës së veteranëve të luftës, është prononcuar për media, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ishte pjesë e protestës.

Ajo tha se veteranët nuk do t’i nënshtrohen askujt, dhe se nuk do ta lejojnë askënd të negociojë me Milan Radojçiqin, për vlerat e luftës.

“Nuk do t’i nënshtrohemi, do të jemi çdo ditë sepse e duam Kosovën, nuk do të lejojmë që askush të negocioj me Radojçiqin për vlerat e Kosovës”, ka thënë ajo.

Ky reagim i saj, vjen pasi u publikuan disa incizime, ku dëgjohet Mimoza Kusari – Lila, teksa bisedon me Slavko Simiqin, për cështjen e listës së veteranëve.

Po ashtu, aty dëgjohet Kusari, duke e pranuar që ka biseduar me Radojçiqin.

Për mediat foli edhe Faton Klinaku, përfaqësues i veteranëve të luftës, i cili tha se njerëzit janë të shqetësuar me vendimet e Qeverisë sipas tij kundër veteranëve.

“Ky organizim ka nis vetëm dje, s’i ka dy ditë të plotë. Kishte masë të madhe, u pa që njerëzit janë të shqetësuar. Kemi pas disa vendime, kemi thënë që do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, për veteranët. Është bërë një shkelje ligjore. Beneficionet e veteranëve lidhen me pagën minimale, Kurti nuk duhet të na mashtrojë”, tha Klinaku.