Isa Mustafa: Qeveria ime nuk pati asnjë rast korruptiv
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka komentuar arrestimin e avokatit të njohur, Besnik Berisha. Mustafa tha se pas arrestimit të Berishës, përkrahësit e pushtetit e kanë përmendur si ish-këshiltar të tij, gjatë kohës sa Mustafa ishte kryeministër.
E kjo sipas Mustafës u shfrytëzua të përmendet në ditën kur pati përleshje në Kuvendin e Kosovës.
“Përkrahësit e pushtetit në debat televiziv ditën që ndodhën grushtimet në Kuvend, i komentuan këto edhe si shkas të arrestimit të avokatit më të mirë kosovar, Besnik Berisha. Iu nevojitej ta thonë se ai ka qenë edhe këshilltar imi sa isha Kryeministër. Kjo që ka qenë këshilltar imi si Kryeministër i Republikës së Kosovës është më se e vërtetë. I dijshëm, i aftë, i guximshëm. Këshilltar i të vetmes qeveri që e përfundoi mandatin pa asnjë rast korruptiv. Dhe kjo është edhe meritë e madhe e Besnikut. Prandaj unë mburrem që e kisha afër një ekspert dhe njeri të tillë. E pse iu nevojitet përkrahësve të regjimit që ta lidhin arrestimin e Besnikut me përleshjet politike, ata do duhej të japin përgjigje. IM”, ka shkruar Mustafa ne nje postim ne “Facebook”.
Berisha u arrestua te enjten.
Në njoftimin Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Besnik Berisha dyshohet “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare“ dhe “Ushtrimi i ndikimit”.