Maqedoni

Shkruhet enciklopedia Shqiptare, shqiptarët e Maqedonisë nuk do të përfshihen?! (Video)

Gjithçka ka bërë histori në Shqipëri, Kosovë apo në raportet mes tyre do të jetë pjesë e Enciklopedisë Shqiptare, pa u përmendur fare shqipytarët e Maqedonisë së Veriut e as të trojeve tjera jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Në shtator redaksitë e dy vendeve pritet të nisin punën për të hartimin e teksteve. Përgatitja e fushave që do të përfshihen, personat që do të merren me to dhe detajet teknike, janë mbyllur.

“Të gjitha ato çështjet që tashmë kanë zënë vend në histori apo historia e marrëdhënieve sigurisht që do të zënë vend, këto marrëdhëniet aktuale nuk janë histori, akoma nuk janë histori.

Realisht jemi një komb, por jemi dy entitete politike, respektivisht dy shtete. Gjatë historisë kemi qenë në situata të ndryshme megjithatë jemi një komb, gjatë gjithë historisë kemi mbet një komb nuk jemi nda si komb. Kjo dmth kemi një histori të përbashkët kombëtare dhe një histori të ndarë që kanë prodhu dy realitete të ndryshme politike”- u shpreh Kraja.

“Përsa janë krijuar dy redaksi vendore do bëhet një ndarje se cilat personalitete, ngjarje, trajtohën nga kjo redaksi dhe cila nga tjetra. Baza është vendlindja, vendodhja, ku ke ushtruar aktivitetin e me radhë”- tha Gjinushi.

Redaksia qendrore të mërkurën në Tiranë miratoi udhëzuesit praktik, modelet e artikujve, zërave dhe statusin e Enciklopedisë. Hartimi i veprës më të madhe të shqiptareve do të marrë të paktën 5 vite kohë.

“Kam një përvojë me Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Kam qenë kryeredaktor i atij fjalori dhe kur e kemi nis kemi mendu që e bëjmë për nja tre vjet e kanë dalë gjashtë, kjo ska tërheq mbi vete ndonjë shpenzim të veçantë. Dua të them se këto projekte janë afatgjata dhe pak vështirë të përcaktohet koha e realizimit”- tha Kraja.

“Mbyllim këtë cikël të hartimit të akteve, udhëzuesve ku përcaktohen kriteret kryesore për hartimin e artikujve të Enciklopedisë për hierarkinë midis artikujve për përfshirjen e ngjarjeve apo personaliteteve në Enciklopedi për të rregulluar marrëdheniet mes redaksive të fushave paralele që do të veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Mbyllim një detyrim kryesor që bën që në shtator të fillojë puna konkrete do të thosha me autorët apo listimin e artikujve”- shtoi Gjinushi.

Në përfundim të këtij projekti madhor, do të kemi 10 vëllime voluminoze me të dhëna dhe studime për shqiptarët. Vendimi për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare u mor në mbledhjen ndërqeveritare Shqipëri-Kosove qershorin e vitit të shkuar.