Maqedoni

Prokuroria gjeti 30 lëndë gjyqësore që kanë të bëjnë me Ramiz Merkon

Dosja penale e kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko regjistron dyshime për 30 vepra penale nga viti 2006 deri në vitin 2023. Kontrolli i komisionit të Prokurorisë Publike njofton se 16 vepra janë aktive, ndërsa 14 kanë plotësuar kushtin e vjetërsimit absolut. Lëndë të formuara dhe në procedim në kuadër të Prokurorisë së rregullt kundër Merkos për momentin janë gjithsej 11.

“Prokuroria Themelore e Strugës procedon 4 lëndë (2 nga viti 2019 dhe 2 nga viti 2022) kundër personit në fjalë. Procedohet edhe mbi dy procedura para hetimore të filluara nga viti 2021 të cilat ndërlidhen me projektet konkrete në Komunën e Strugës”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Ndaras nga Prokuroria e rregullt, krimi i organizuar është duke punuar në 5 lëndë. Në mesin e tyre edhe blerja e veturave për Komunën e Strugës.

“Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është duke punuar në 5 lëndë. Në mesin e tyre është edhe lënda me procedurën kontestuese të prokurimit të automobilave në Komunën e Strugës. Në procedurë janë përfshirë Anti-korrupsioni dhe Enti Shtetëror për Revizion. Prokurorit të rastit i janë dhënë rekomandime konkrete për veprimet e mëtejme”, thonë nga Prokuroria Publike.

Gjatë kontrollit është biseduar edhe me prokurorët për t’i pyetur mbi presionet dhe pengesat politike. Gjithashtu i është rekomanduar përditësimi i veprimeve në lëndë dhe ndërmarrja e hapave brenda afateve ligjore. Një ndër masat që pritet të ndërmerret pas kontrollit në Strugë është edhe takimi të cilit do ta inicion kryeprokurori bashkë me ministrin e Brendshëm, Entin e Revizionit, Komisionin për parandalimin e korrupsionit dhe Policinë Financiare me qëllim aktivizimin e frontit kombëtar për luftë kundër korrupsionit. Veprimet e organit të akuzës për kontroll në Strugë vijnë pas vendimit t DASH për të vendosu Ramiz Merkon dhe familjen e tij në listën e zezë amerikane. /Alsat.mk