Kryetari i Alternativës Kumanovë pas djegies në Gjykatën Themelore: Kujt po i pastrohet lëkura?
Kryetari i Alternativës dega në Kumanovë, Orhan Kurtishi ka reaguar pas djegies në Gjykatën Themelore në Kumanovë duke ngritur dilemat dhe dyshimet në lidhje me motivet dhe mënyrën se si asnjëherë nuk po gjendet fajtori në këto faje të përsëritura.
“ Edhe një goditje për besueshmërinë e gjyqësorit në Kumanovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Është interesante se në çdo 2-3 vite na digjen gjykatat, rastësisht këto djegie ndodhin në hapësirat ku mbahen arkivat dhe në asnjërin rast deri më tani nuk është gjetur fajtori. Jo rastësisht edhe në sondazhet e besueshmërisë së institucioneve Gjyqësori është e fundit për nga besimi.
Kujt po i pastrohet lëkura? Dhe kush është aq i fuqishëm që ta ndezë zjarrin dhe ta fsheh tymin? Siç duket as me këta udhëheqës të këtij institucioni nuk ka ndryshim të traditës së krimit dhe korrupsionit. Agjenda e bllokut “Pro Evropian” po fillon t`i jap shenjat e para. Populli thotë:” Ujku qimen e ndërron, po zanatin nuk e harron”.
Zhvillime të rëndësishme e jo të rastësishme. Shpresë e humbur e qytetarëve. Guxim i tkurrur në maksimum dhe gjithçka qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. “, shkruan Orhan Kurtishi.