Maqedoni

Pos Shkupit, edhe Tetova po ngulfatet nga mbeturinat

Qyteti i Tetovës po ngulfatet nga mbeturinat. Çdo pikë e grumbullimit të mbeturinave është e stërmbushur, ndërsa rreth çdo kontejneri mund të shihen qenë endacakë. Qytetarët ankohen për erën e rëndë që sjell kjo gjendje ndërkaq druajnë për përhapjen e ndonjë sëmundje infektive për shkak të temperaturave të larta.

“Kjo është sëmundje për njerëzit dhe për të gjithë është sëmundje. Temperature e bën të veten. Mbeturinat këtu me javë dhe muaj nuk I pastrojnë, shpresojmë të bëhet më mirë. Era pengon shumë, duhet me vendosur maska si në kohën e Kovidit, tash duhet t’i mbajnë”.

“Edhe ne pak, populli duhet të vetëdijesohemi se nuk mundet kështu”.

“Kjo është me vite kështu, jo tash asgjë e vjetër. E shihni dhe vetë çfarë ere vjen. 2:18 Nuk mundet, gjithë mbeturinat të hedhen në lum, kjo është e pamundshme por ndodh në Tetovë”.

Nga Ndërmarrja publike komunale thonë se kjo situatë është krijuar si pasojë e prishjes së dy kamionëve të cilët mbledhin mbeturinat.

“Dy kamionët special për ngritjen e kontejnerëve të mëdhenj i kemi me defekt, si pasojë janë grumbulluar mbeturinat më shumë. Katër ditët e fundit pikat më të mëdha të grumbullimit nuk arrijmë t’i marrim çdo ditë. Presim që nga nesër njëri prej kamionëve të rregullohet dhe të hyjë në përdorim, ndërsa tjetri brenda tre ditëve do të jetë në terren me çka do të pastrohen të gjithë kontejnerët”, njoftojnë nga Ndërmarrja Publike komunale, Tetovë.

Një ndër problemet me të cilat përballet kjo Ndërmarrje është edhe vonesa e pagave për të punësuarit. Punëtorët janë tre muaj më vonë me paga, ndërsa edhe këtë të fundit e kanë marrë me vonesë për shkak të bllokimit të llogarisë nga ana e Drejtorisë për të ardhura publike si pasojë e borxheve të pa shlyera.