Kosovë

“Rruga pa Albin Kurtin është rrugë me Isa Mustafën”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, derisa ka shtuar se Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani, transmeton Lideri.mk.

“Pezullim i fondeve të BE-së; Pezullim i MSA-së, Pezullim i takimeve të nivelit të lartë, Pezullim i vizitave bilaterale. Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”, ka shkruar Abdixhiku.

“Teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim dixhital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi”, thotë Abdixhiku.

Ai thotë se “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërkohë në LDK thonë se koncepti i “Rrugës pa Albin Kurtin” nuk është origjinal i Abdixhikut, por se ideolog i këtij koncepti është ish kryetari i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa.

“Ideolog i këtij koncepti është lideri ynë i dytë historik pas presidentit Rugova, Isa Mustafës. Ne jemi të bindur se ky koncept do ketë sukses”, kanë thënë burime të larta në LDK duke kërkuar të mbeten anonime. Ata e pranojnë se ky koncept mund të jetësohet vetëm me ndihmën e “Listës Serbe”, por thonë se “kur është në pyetje interesi i Kosovës, do bashkëpunojmë edhe me Rakiqin”.

Edhe Haradinaj kërkon qeveri pa Albin Kurtin

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të diskutojnë me opozitën për mocionin e mosbesimit, ndërsa tha se tani nuk janë kushtet për të shkuar në zgjedhje. Ai tha se në mbledhjen e kryesisë diskutuan për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar deri në zgjedhjet e ardhshme, por nuk ka përmendur bashkëpunim të mundshëm me “Listen Serbe”.

Pas takimit të Kryesisë së AAK-së, Haradinaj u shpreh se Qeveria Kurti po e rrezikon Kosovën. Ai tha se vendosën që të krijojnë disa struktura për t’u përballur me gjendjen aktuale në vend.

“E shohim që Kurti, pra qeveria Kurti është në drejtim të rrezikshëm dhe po e rrezikon Kosovën, ekzistencën tonë, zbatimin e ligjit në veri, marrëdhënien me aleatët tonë. Duke pa këtë drejtim kemi iniciuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, si mundësi brenda demokracisë sonë, pra me vepru në Parlament. Sot diskutuam reforma tjera edhe veprime tjera potenciale, për t’u përballë me Kurtin, me Qeverinë Kurti, me rreziqet që ia shkakton vendit. Njëkohësisht, vendosëm krijimin e disa strukturave për t’u përball me gjendjen dhe atë që vjen.”, tha ai, transmeton Lideri.mk.

Ai tha se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me opozitën ende për mocionin, për të cilin tha se shpresojnë që të jetë dalja nga gjendja aktuale, derisa tha se tani nuk është koha të shkohet në zgjedhje.

Haradinaj tha se diskutuan si opsion edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar, që përfshin gjitha partitë politike.

“Sipas bindjes sonë, nuk e kemi menjëherë luksin me shku menjëherë në zgjedhje, sipas bindjes tonë, pra diskutuam si opsion edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar, pra të unitetit kombëtar, ku do të ishin të gjitha partitë politike përfshirë edhe VV-në. Pra një qeverie të ardhshme pa Kurtin deri në zgjedhjet e ardhshme, por që do ta kthente Kosovën në normalitet, pra në agjendën euro-atlantike, rrugën tonë euro-atlantike, që është e vetmja rrugë për Kosovën edhe të kthimit të mirëbesimit dhe prosperitetit për vendin. Është e pakuptimtë të vazhdojmë me u sjell normal në Parlament”, tha ai.

I pari i AAK-së tha se rreziqet për Kosovën janë reale dhe, sipas tij, janë në ardhje.

Ai i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti që të veprojnë në përputhje me tri pikat e Bashkimit Evropian.

Haradinaj foli edhe për vizitën e kryeministrit Rama në Kosovë, derisa tha se Kurti duhet ta presë homologun shqiptar.

“Edhe sot e shfrytëzoj rastin që me i ba apel Kurtit e Osmanit të veprojnë menjëherë, në përputhje me kërkesat, tri pikat e BE-së. Ju e dini, thuhet me të drejtë, BE-ja është lehtësues i dialogut, pra e lehtëson, por mos të harrojmë faktor vendimmarrës në këto procese është Amerika. Te veprohet menjëherë dhe të mos lejohet që Kosova të shkojë edhe në një shkallë më të keqe të ndëshkimeve…Tani nëse vjen Kryeministri Edi Rama, ai po vjen për këtë situatën e re, për këto shqetësimet e reja, për rreziqet që po vijnë, mendoj se Kurti është mirë me pritë, pra është mirë me pritë. Nxinet agjenda bilaterale, në një etapë të caktuar, po situata është serioze, mendoj se duhet me pritë”, nënvizoi tutje Haradinaj, duke shtuar se autoritete të tilla nuk do t’i vijnë shumë kësaj qeverie, andaj tha se “nuk guxojmë me i mbyll të gjitha dyert”.

Kusari Lila: Qeveria Kurti vazhdon mandatin e plotë

Deklaratën e Ramush Haradinajt e ka quajtur të papranueshme Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e deputetëve të partisë në pushtet tha se e falënderon Haradinajn për propozimin, por se sipas saj, Qeveria Kurti do të vazhdojë mandatin e plotë, pasi tha se ka legjitimitet të paparë deri tash në Kosovë./Lideri.mk