Kosovë

Ekskluzive: Përçahen bandat serbe në Veri të Kosovës, një pjesë kthehen në Serbi dhe Republika Srpska

Qeveria e Kosovës ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartë pasoja të rënda ligjore.

Ky vendim si duket ka shkaktuar frikë dhe panik te një pjesë e strukturave të armatosura serbe. Siç njoftojnë burime të mireinformuara në Prishtinë për portalin Lideri.mk dhe për disa media vendore në Kosovë, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigadat e Veriut” janë përçarë mes vete dhe tani “Brigadat e Veriut” gati është shpërndarë krejtësisht si formacion.

“Një numër i pjesëtarëve të saj që janë banorë të Kosovës janë demobilizuar dhe po vazhdojnë jetën si civilë. Një pjesë kanë kaluar te Mbrojtja Civile, kurse një pjesë janë kthyer në Serbi dhe në Republika Srpska, prej ku kishin ardhur për të shkaktuar probleme në Kosovë”, kanë thënë burime të mirëinformuara në Prishtinë, duke shtuar se ka pjesëtarë të demobilizuar edhe nga radhët e “Mbrojtjes Civile”, por në numër më të vogël, transmeton Lideri.mk.

Sipas tyre, ka pasur edhe disa përplasje të armatosura mes pjesëtarëve të dy formacioneve, kurse ata që kanë vendosur të demobilizohen po i quajnë “tradhtarë të kombit serb”.

Të njëjtat burime thonë se pas dobësimit të strukturave të armatosura serbe në Veri, do të forcohen përpjekjet e përfaqësuesve të tyre politike për të kthyer goditjen ndaj qeverisë.

Kush janë këto grupe?

Në fillimin e vitit 2012, përfaqësuesit e serbëve të veriut, e kishin konfirmuar edhe zyrtarisht ekzistencën e një grupi me emër “Mbrojtja Civile”. Veçse sipas tyre, ky grup merrej me çështje komunale. Ishte e konfirmuar që ky grup financohej nga Serbia.

Në kohën e bisedimeve Kosovë-Serbi, Beogradi e kishte konfirmuar se i mbanë në Kosovë mbi 300 pjesëtarë të MUP-it.

Ligji i Mbrojtjes së Serbisë, thotë se se “Mbrojtja Civile” është pjesë e “një sistemi të integruar të policisë, e organizuar për funksionimin e suksesshëm të organeve shtetërore, organeve të krahinës autonome dhe vetëqeverisjes lokale… dhe i përmbush nevojat e forcave të mbrojtjes gjatë emergjencave dhe në luftë”.

Ndërkohë, sa i përket Brigadës së Veriut, dyshohej se në krye të tij ishin struktura kriminale në veri, të kryesuara nga Millan Radojiçiqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto dy formacione ilegale, paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

“Duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë në sulmet e armatosura ndaj PK, EULEX-it, KFOR-it, sulme ndaj qytetarëve e kundërshtarevep olitikë, thirrje për rezistencë, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për jesëmarrje në protesta dhe forma të tjera të rezistencës. Organizimi dhe pengimi i zbatimit të vendimeve të institucioneve, rekrutimi dhe trajnimi për armë luftarake me baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore e ndërkombëtare. Kanosja dhe frikësimi i qytetarëve, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim pengimin, Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut shpallen organizata terroriste.” – u shpreh ai.

Qeveria kishte lajmëruar edhe më herët se këto dy organizata mund të shpalleshin terroriste.

Më herët ishte njoftuar se zv. komandanti i “Mbrojtjes Civile” me emrin Millun Millenkoviq Llune ishte arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës. Edhe për protestimin e tij kishte pasur protesta e pakënaqësi mes komunitetit serb.

Vuçiq: Kurti po përgatit kundërofensivë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka folur për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se “nuk është burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës”. Për ta argumentuar këtë, ai ka përmendur deklaratën e para 5 vjetëve të Kurtit se “na ka mbetur vetëm që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuqiqit dhe të kthehemi si para pesë shekujve”.

“Çfarë njeriu duhet të jesh që të thuash diçka të tillë… Kur e dëgjon, e ke të qartë se nuk ka as bisedë, as normalitet, as nder”, tha Vuçiq.

“Unë jetoj për fabrikat, përparimin e ekonomisë serbe, e Kurti që të jetë Enver Hoxha i ri, fiksimi i tij i vetëm është t’i dëbojë serbët nga vatra. Ky është student i Adem Demaçit, një njeri që ndërsa Tito kujdesej për çdo shqiptar, i kaloi 18 vjet në burg… Kurti është student i tij”, tha ai në një intervistë në TV Prva.

Më vonë e ndërroi pak, duke përsëritur atë që e kishte thënë disa herë, se “Kurti dëshiron të jetë Zelensky”. Ai parashikoi një ofensivë në Ukrainë “me viktima të mëdha” dhe këtë e lidhi me zhvillimet që priten në Kosovë.

“Dhe, kur të fillojë, do të shihni një ofensivë shtesë të Kurtit në Kosovë, prandaj po iu kërkoj njerëzve që të kenë kujdes dhe të strehohen për një kohë. Njeriu nuk është vetvetja dhe kam frikë se terrori do të bëhet edhe më i keq dhe më i egër”, tha ai.

Edhe Lista Serbe e ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, për t’i shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Nga kjo parti po thonë se ky vendim është pjesë e planit të kryeministrit Albin Kurti, për të arrestuar serb në veri, përcjell Gazeta Express.

“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.

Vazhdon arrestimi I serbëve të dyshuar

Policia e stacionit në Shtërpcë, dje rreth orës 01:15 ka pranuar një informacion se në fshatin Gotovushë të Shtërpcës ka të shtëna me armë zjarri.

Policët i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të fshatit Gotovushë dhe kanë arritur që të arrestojnë në vendin e ngjarjes të dyshuarin në gjendje të dehur M.R (M/K) i moshës 50 vjeçar, i cili kishte shtënë disa herë më armë zjarri.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se bëht fjalë për Milorad Retinoviq. I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtërpcë dhe me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Është konfiskuar një armë zjarri automatike dhe sasi e municionit, ndërsa rasti është cilësuar ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje./Lideri.mk