Kolumna

Çun Lajçi: Spiunave duhet me ua pre veshët, siç ua ka pre Azem Galica

Çun Lajçi

Ikni Çuni ikni Çuni!
Jo,mos ikni hiç, se boll ika prej Covidit po më nxuni. E besën e keni edhe unë me iu nxanë juve po, e veshtë me ua pre si Azem Galica!
Ai spiunave ua prejke veshtë, e u thojke: Shko kallxoni Krajlit se çka muj me t’ba!
Prandaj rrini e mos ikni se hap as kaçik me ikë s’keni dhe dijeni, se këtu bahet mirë kur n’Parlament t’zotnoi arësyeja e t’pranohet fajsia e n’spitale gjamët t’pushojnë!
Por, ah!
As atje as këtu s’do t’pushojnë dhimbjet për aq sa do t’ketë jetë e smundje e mjek që kujdesën për shëndetin tonë e deputet korba që mbrojnë krimin e hajninë e hanë me dy e tri lugë tue krrokatë!
Këtu i bahet disi qarja se t’paktën mjekët janë me neve ditë-natë e s’përtojnë t’na mjekojnë me aq sa kanë.
Infermierët si fluturat vrapojnë sa nji dhomë sa n’nji tjetër e kurrë rrudhë as mërrolë s’sheh n’fytyrat e tyne, përkundër nji kapshate t’vogël t’bukës, që ua jep shteti tue u krekosë si gjeli n’pleh!
Këtu t’paktën si fyejnë pacientët si deputetët dje ne Parlament, që vollën poshtërsinë e vet ndaj atyne që s’kanë vu “imza” për Specialën!
E profesorë janë, edukatorë gjeneratash t’ardhshme! E rrogë marrin nga djersa jonë për shamje, fyemje e besa edhe për ndonji grusht!
Por fati e ka dashtë, me i pasë zemrat e lepujve e grushtat me i ruejtë për kokat e veta, kur t’iu kruhet ma vonë, e t’iu bie ndërmend se krejt informatat ia dhanë dje Hagës e Sërbisë, se çka mundën këta me ba, me pasë ma shumë fuqi!
Dhe krejt kjo si pasojë e Donikës, që po iu duket me dy krena e po duen mu mbytë n’sahanin e përsheshit, veç ishalla kthehet ai që ua skuq faqet shuplaka e i qet n’terezi pak!
– Artist!
Janë rrallua infeksionet, ndaj bahu gati për nji dhomë ma t’mirë, m’tha derisa po na vizitonte dr.Bahri Thaqi n’kët mëngjes!
Bile edhe tualetët Bashkimi Evropian na ka thanë me i ba të përbashkëta, e s’ke pse ankohesh ma. Do t’jenë të pastërta siç jemi edhe vet ne, dhe buzëqeshi ambël doktor mantelbardhi!
Si i kemi punët, e pyeta tue aludua ne shendetin tonë!
– Ju t’gjithë jeni ma mirë se Kosova, e kjo ka randësi!
Eh ta lumsha doktor.
Kjo na duhet. Se pa shëndet s’ka as shtet. E shëndeti e mbron njeriun e njeriu kufinin!
Iu përgjigja si pushka e mbushune!
Veç aman doktor, mundohuni me shnoshë Kosovën nga virusi i marrive. I fjalëve të mbulueme me marre. Nga virusi i poshtërsive e lakmive, hajnive e dhunës!
Vështirë e keni, e di, se pllugu asht hi thellë n’pleh, e pa dalë skrrajat mbi dhe, era s’del. E pa dalë era plehu nuk digjet. E pa u djegë plehu, s’guxon me ia shkepë kallamoqit se ia djegë rrajën!
Qeshi doktori e u kënaqën asistentët. Unë i mbylla sytë, dhe u palova n’karrocën që mëzi lëvizte!
Nji kuqalosh m’tha po shkojmë me ba nji fotografi t’mushknive n’podrum, e tjetri ma vuni maskën e oksigjenit dhe u nisëm si me traktorin e thyem!
Sa fort u gëzua teknikja e rentgenit kur me pa dhe s’pushoi tue mu falenderua për shkrimin e para disa ditësh!
Faleminderit artist m’tha për përkrahjen tande për mantelbardhët. Po e sheh vet se ku po punojmë e ku po e tresim ditën. Si minjtë jemi ba. Veç kur t’na zbardhët edhe gjaku e t’na lanë sytë!
Mëzi merrja frymë me besoni, nji nga myku e tjetra nga mos oksigjeni n’mushkni. Kur mbrrina n’dhomë u shtrina e gjatë e gjatë si peshku mbeta gojëhapë!
Ah Kosovë bre, po ti kurgja s’paske pa, se pushtetarët që na i pagujmë, sherohen n’shtëpiat e veta që i kanë lëshua me qëra për spitale private! E neve na nxihet jeta tue i pa dofar Kastratash me mjekrra tue kërcnua n’Kuvend e do far Memlishë e Abdelajdash tue folë fjalë t’pista!
O shnoshu Çun e ik ku kamtë kryet, se këtu maca e kuca e muer e kush s’po din kush po leh as kush po hingëllon!
Nejse. Mos ikni se iki Çuni!

Spital, 07.05.2021