Arrestohet ish funksionari i VMRO-DPMNE-së me 10 bashkëpunëtorë (Foto)
Mbrëmë është arrestuar ish-kryetari i komunës Qendër nga VMRO-DPMNE, Vladimir Todoroviq dhe 10 bashkëpunëtorë.
Ata janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare dhe pastrim parash për monumentet në Shkup, pjesë e projektit “Shkupi 2014” me vlerë 700 milionë euro.
Pasi kanë kaluar natën në stacionin policor, pritet që tash të sillen para gjykatësit për procedurë paraprake në Departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion të Gjykatës penale në Shkup.
Për këto vepra penale është përgjegjëse Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pasi të dyshuarit kanë dëmtuar buxhetin e shtetit. Hetimet drejtohen nga prokurori Lubomir Llape.
Siç raporton SDK.MK, ky hetim është hapur që në kohën e PSP-së. Dëshmitë kryesore ndër vite janë siguruar në Itali, ku janë shkrirë monumentet nga projekti “Shkupi 2014”.
Këto krime ku dëmtohet buxheti nuk skadojnë për disa dekada.