Scholz: Miratoni ndryshimet kushtetuese – garantoj se s’ka kushte të reja për RMV-në
Nuk mund të ketë bllokada shtesë nga Bullgaria për shkak të çështjeve bilaterale sepse ato janë zgjidhur në marrëveshje, pohon kryeministri Dimitar Kovaçevski për integrimet evropiane të Maqedonisë. Ai nga Gjermania theksoi se të gjithë mund të komentojnë vetëm për reformat dhe beson se të drejtat e pakicave janë të rregulluara në nivelin më të lartë.
Dimitar Kovaçevski
“Nuk ka kushte shtesë në kornizën e negociatave, kështu që nuk mund të ketë bllokime shtesë”.
Ai shpjegoi se në procesin e negociatave çdo shtet anëtar mund të bëjë komente për mënyrën e zbatimit të reformave. Ai dha një shembull me kapitullin për mbrojtjen e mjedisit.
Një ditë më parë, Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një press-konference të përbashkët në Berlin me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin tha se Gjermania seriozisht e kupton perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. “Tani radhën e ka ndryshimi i planifikuar i Kushtetutës, që të lirohet procesi aderues në BE”, tha ai.
Olaf Scholz, kancelari gjerman
“Kemi respekt të madh për identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase dhe për përpjekjet e mëdha të RMV-së në rrugën e reformave drejt BE-së. Nga suksesi i ndryshimeve kushtetuese varen shumë gjëra. E di se nuk është një hap i thjeshtë, por duhet liruar rruga për procesin aderues në BE. Inkurajoj RMV-në të vazhdojë rrugën e reformave. Reformat nuk janë kërkesa abstrakte. Që tani kanë ndikime konkrete pozitive për qytetarët”.
Duke komentuar paralajmërimet që vijnë nga Bullgaria se ndryshimet kushtetuese paraqesin njërin nga disa kushtet që Shkupi duhet t`i plotësojë në rrugën drejt BE-së, Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i prerë, se një gjë e tillë nuk është dakorduar.
Kancelari gjerman foli edhe për Procesin e Berlinit. Duke paralajmëruar samitin e ardhshëm të 18 Tetorit në Tiranë nënvizoi se ekziston shumë potencial në këtë nismë. Vizita e Kryeministrit Kovaçevski në Gjermani përkon me 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Berlin – Shkup dhe, u realizua dy javë pasi Bundestagu gjerman miratoi Rezolutën për njohjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës maqedonase.