Reisi Shaqir Fetai: T’i ruajmë vlerat tradicionale familjare
Në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup u mbajt manifestimi qendror në Maqedoninë e Veriut me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku besimtarët muslimanë mbushëm hapësirat e brendshme dhe oborrin e xhamisë.
Në programin e organizuar nga Bashkësisë Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut, para faljes së namazit të Bajramit u kënduan pjesë nga Kurani, si dhe ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.
Fjalimin e hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, i cili theksoi rëndësinë e kryerjes së Haxhit, prerjes së kurbanit, sakrificës dhe shërbimit ndaj të tjerëve.
Fetahi në fjalimin e hutbes foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale familjare, si dhe për çështje tjera, siç është migrimi i të rinjve.
Në deklaratën për gazetarët pas namazit të Bajramit, Fetahi theksoi se besimtarët muslimanë nga pasuria e tyre presin kurbanët për të treguar lidhshmërinë me Allahun dhe për të qenë në shërbim të njerëzve
“Shfrytëzojmë nga rasti që të gjithë besimtarëve të vendit tonë, si dhe të gjithë atyre kudo që jetojnë dhe veprojnë, t’ju shprehi në emër të BFI-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut urime të sinqerta dhe të përzemërta, duke iu lutur Allahut Fuqiplotë që t’i pranojë të gjitha ibadetet e tyre, lutjet e tyre për paqë dhe mbarësi”, tha Fetahi.
I pyetur për debatin publik mbi propozim-ligjin e diskutueshëm, i cili bie ndesh me vlerat tradicionale familjare, kreu i BFI-së tha se institucioni të cilin e udhëheq ai, para një muaj e gjysmë ka dalë me qëndrim se propozim-ligji nuk përkon me parimet e vlerave dhe rregullave fetare të të gjitha bashkësive fetare.
Fetahi shtoi se dje është njoftuar se Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e kanë tërhequr ligjin dhe i njëjti nuk është në procedurë për t’u miratuar. /SHENJA/