Maqedoni

Bislimovski: Rritja e energjisë elektrike nga 2 në 9%

Çmimi i energjisë elektrike për familjet që shpenzojnë më pak ulet, ndërsa për konsumatorët më të mëdhenj rritet. KRRE shpalli çmimet e reja të energjisë elektrike. Në bllokun e parë çmimi ulet për 7 për qind, në të dytin 4 për qind, ndërsa për bllokun e tretë dhe të katërt rritet për gati 3 për qind. Megjithatë, kthimi i TVSH-së prej 18 për qind nga 1 korriku do të ulë faturat e energjisë elektrike vetëm për qytetarët që hyjnë në bllokun e parë. Në blloqet e mbetura do të rriten faturat e energjisë elektrike.

“Ulja pa TVSH është 7,04, me TVSH të llogaritur matematikisht, ulja është 0,28 për qind, për bllokun e dytë rritja për shkak të TVSH-së është 2,88 për qind, për bllokun e tretë është 9,99 për qind kurse për bllokun e katërt 9,97 për qind”, Marko Bislimovski- KRRE.

Tarifa e lirë ditore do të jetë në dispozicion të qytetarëve nga 1 dhjetori. Edhe pse ishte premtuar se do të fillojë të aplikohet nga 1 korriku, EVN-së do t’i duhet gjysmë viti që t’i rregullojë të gjithë matësit për leximin e tarifës së lirë, e cila do të jetë nga ora 13 deri në 15.

“Nga 1 dhjetori do të kthehet tarifa e lirë nga ora 13 deri në 15, ky është maksimumi që mund të bëjmë dhe presim që në periudhën e ardhshme të fillojmë me ndryshimin e matësve. Ne nuk e vendosim tarifën e lirë për arsye politike, por e vendosim në bazë të sinjalit të çmimit të energjisë elektrike në të gjitha bursat, përfshirë këtu edhe bursën tonë”, tha Marko Bislimovski- KRRE.

Shkaku më i madh që mos ketë rritje drastike të çmimit është prodhimi i energjisë së gjelbër prej 270 megavat orë. Në pesë muajt e parë, importi i energjisë elektrike ka pësuar rënie prej 12 për qind. Çmimi i ri i energjisë elektrike fillon të zbatohet për të gjithë qytetarët nga muaji i ardhshëm. /alsat.mk