Kurti: Policia nuk tërhiqet pa u tërhequr ekstremistët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në veri e për tërheqje të Policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, por pasi të plotësohen kornizat ligjore për to.
“Zgjedhjet e parakohshme jemi të hapur, por duhet të kenë zgjidhje ligjore. S’mund të bëhen jashtë ligji. Siç e parasheh ligji, ta zëmë me nënshkrime të qytetarëve, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit. Por s’mund të bëjmë zgjidhje joligjore”, ka thënë Kurti.
Pas takimeve të së enjtes me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Bruksel, Kurti ka thënë se Policia në veri po qëndron për të reaguar e jo për të ndërhyrë.
“Për bindjen time deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërsa sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, e kuptojmë se ka rëndësi për zgjedhje të parakohshme me proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, kampanjë e hapur dhe fer dhe zgjedhje të lira dhe demokratike. S’mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që kemi lënë pas, por mbetet të shihet. Jam i hendikepuar sepse s’ka pasur takim direkt”, ka thënë Kurti.