Mickoski: Lista e zezë amerikane dëshmi për kriminalitetin e qeverisjes
Maqedonia e Veriut ka qeverinë më kriminale dhe më të korruptuar në Evropë, ku sundojnë klanet dhe familjet e tyre fitojnë pasuri milionëshe. Kështu ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. I pyetur nga gazetarët për listën e zezë amerikane në të cilën është vendosur kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko. Ai thotë një gjë tillë nuk ka nevojë askush tjetër të trregojë, pasi sipas tij, partia e tij disa herë ka deklaruar se këtu lulëzon krimi dhe korrupsioni.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË
“Pra, ne nuk mund të veprojmë me sy qorr dhe vesh shurdh, atë që po bën qeveria më kriminale dhe më e korruptuar në Evropë, e ndjejmë të gjithë. Ajo që erdhi nga Departamenti i Shtetit është vetëm konfirmim i asaj që ndjejmë. Kryetari i komunës dhe një pjesë e kryesisë së partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim është futur në atë listë të zezë sepse kanë prova, të paktën kështu e kuptova njoftimin publik, se pas tij fshihet një krim i madh, ai ka diktuar edhe në gjyqësor dhe në marrjen e vendimeve gjyqësore. I vetmi që mbron Ramiz Merkon është Dimitar Kovaçevski, madje edhe vetë BDI-ja hesht”
Mickoski theksoi se nuk është e çuditshme kjo që po ndodh dhe për këtë arsye shteti është aty ku është. Sipas tij, nuk ka shtet ligjor, ai thotë se kriminelët janë fatkeqësisht njerëz që kanë imazh të respektueshëm, sepse sipas tij, ndjehen të gjithë të fuqishëm dhe krimi mbetet i pandëshkuar.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË
“Nuk është sekret që në Maqedoni emërohen gjyqtarë dhe prokurorë nëse marrin rekomandim partiak, rekomandim nga disa parti, dihet kush është në krye të SDS-së e kush në BDI. Mund të shkruaj në një fletë emrat e atyre që do të jenë prokurorë dhe gjyqtarë në të ardhmen, nga i pari tek i fundit dhe t’ju them se kush i rekomandon”.
Lideri i opozitës theksoi se qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do të ketë detyrë të vështirë për t’i çrrënjosur zhvillimet e tilla në mënyrë që kriminelët të mos mbrohen më.