Maqedoni

Jajaga: Kemi avancuar pozitën e shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes

Në këto 110 ditë sa kemi ardhur në Ministrinë e Mbrojtjes kemi arritur që të avancojmë pozitën e shqiptarëve në këtë ministri. Kështu tha zv/ministri i Mbrojtjes, Tiron Jajaga në emisionin “Intervistë në SHENJA”, duke numëruar edhe punësimet e reja dhe avancimet në pozita që janë bërë.

Tiron Jajaga, zv/ministër i Mbrojtjes
“Ajo që mund të them është se ne kemi arritur të avancojmë 21 nënoficer shqiptar të cilët nuk kanë qenë deri pak më parë. Këto ditë bëhet pranimi ushtarakëve profesional në armatë ku do të bëhet pranimi i 45 ushtarëve të rinj shqiptar, po ashtu. Kemi bërë avancimin e tre oficerëve të lartë në gradë. Sa i përket misioneve kemi bërë që pjesëmarrja në misionet nga pala shqiptare të jetë në maksimumin e saj të mundshëm”
Jahjaga duke folur për arritjen e standardeve të NATO-s, tha se integrimi në këtë strukturë është një proces i vazhdueshëm. Ai tha se për modernizimin e armatës deri në vitin 2029 janë paraparë të shpenzohen 900 milionë euro.

Tiron Jajaga, zv/ministër i Mbrojtjes
“Këto janë të dedikuar për modernizimin për ngritjen e nivelit të mbrojtjes kolektive. Këtu parashihen blerja e autoblindave, e të gjitha sistemeve të cilat kërkohen në suazë të standardeve të NATO-s”
Tiron Jahjaga tha se NATO nuk siguron vetëm stabilitetin, por edhe mirëqenien e anëtarëve të saj. Ai numroi dy nene të traktatit të NATO-s, njëra për mirëqenien dhe tjetra për formësimin e institucioneve stabile, gjë që, tha Jahjaga neve na prekën si shtet.