Kosovë

Serbët protestojnë në Zveçan, sërish shahen dhe ofendohen mes veti (Video)

Me sharje e ofendime janë pritur nga protestuesit serbë në Zveçan tre deputetë opozitarë të Parlamentit të Serbisë. Pas situatës që përjetuan, ata shprehën brengën për trysninë që mbi serbët ushtron pushteti i Beogradit.

Tre deputetë opozitarë të Parlamentit të Serbisë, Miroslav Aleksiq, Aleksandër Jovanoviq Cuta dhe Danijela Nestoroviq, vizituan protestuesit serbë në Komunën e Zveçanit.

Por kritikët e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, nuk qenë të mirëpritur nga disa protestues që e mbajnë të bllokuar ndërtesën e Komunës.

Ata u shanë e u akuzuan nga mbështetës të Listës Serbe, që mban lidhje të forta me Vuçiqin.

Por Jovanoviq, që është kryetar i Lëvizjes Kryengritja Ekologjike, në adresimin e tij para mediave tha se vizitën e ka bërë për t’i mbështetur personalisht qytetarët serbë. Por shprehu brengën për trysninë që mbi ta ushtron pushteti i Serbisë.

“Nuk ka dallim të madh mes asaj që po ndodh këtu dhe në Serbi, nëse flasim për presionin që ushtrohet mbi njerëzit”, tha Jovanoviq Cuta.

Për mosmikpritjen nga bashkëkombësit pati një reagim edhe deputetja Nestoroviq.

“Unë thjesht nuk mund ta besoj sasinë e agresionit dhe dhunës. Ne jemi i njëjti popull. Ne, në fakt, kujdesemi për popullin serb në çfarëdo territori që ai është. Ky është vendi ynë dhe ne thjesht kemi një narrativë të përbashkët, kemi një interes të përbashkët”, tha Nestoroviq.

Vizitën e tyre deputetët opozitarë serbë e kanë vazhduar edhe në komunat e tjera të veriut të Kosovës, ku serbët i mbajnë të bllokuara ndërtesat komunale për t’ua pamundësuar qasjen në zyra kryetarëve të zgjedhur.