Kosovë

Rrëmbimi i tre policëve u bë nga xhandarmëria serbe, u shkel marrëveshja e Kumanovës

Më 14 korrik, forcat speciale serbe hynë brenda territorit të Kosovës dhe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Kështu patën deklaruar nga Ministria e Brendshme e Kosovës, ndërsa gjatë ditës së djeshme, edhe kryeministri Albin Kurti dha detaje nga ky rrëmbim, duke prezantuar dëshmi me fotografi se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Por, sipas autoriteteve serbe, këta tre pjesëtarë kishin hyrë në territorin e Serbisë në momentin e rrëmbimit.

Klankosova.tv e ka intervistuar një ekspert të sigurisë dhe një njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare për t’i pyetur se si i kanë parë këto zhvillimet dhe të dy vlerësojnë se Serbia bëri shkelje flagrante me arrestimin e tre policëve të Kosovës.

Sipas ekspertit të sigurisë, Ramadan Qehaja, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është bërë nga xhandarmëria serbe dhe thekson se Serbia është i vetmi vend në Evropë që ruan kufirin me xhandarmëri.

“Si njohës i çështjeve të sigurisë, në bazë të asaj që kam dëgjuar dhe vlerësuar situatën, rrëmbimi apo arrestimi i tre policëve tanë është bërë në territorin e Kosovës dhe atë nga xhandarmëria serbe. Dihet botërisht se kufiri në mes të Serbisë dhe Kosovës sigurohet nga xhandarmëria serbe dhe jo nga policia serbe e që është rast i vetëm në Evropë që bëhet sigurimi i vijës kufitare me xhandarmëri. Sa për opinion, desha të them se xhandarmëria është diçka më e aftë dhe përgatitur sesa policia e rëndomtë – do të thotë është gati e krahasueshme me ushtrinë e Serbisë”, vlerëson Qehaja.

Tutje, ai thotë se ky aksion i xhandarmërisë serbe u bë me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qëllime të Beogradit zyrtar.

“Rrëmbimin e tre policive e ka bërë kjo xhandarmëri dhe këtu dilemë nuk mund të ketë. E ka bërë për qëllime të Beogradit zyrtar, me instruksione të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të bëjë presion ndaj Qeverisë së Kosovës që ajo t’i lirojë tre serbët e arrestuar për shkak të shprehjes së dhunës ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve e që është jo normale”, thotë eksperti i sigurisë.

Më tej, Qehaja shton se policët e Kosovës kanë vepruar mirë që nuk kanë rezistuar ndaj xhandarmërisë serbe duke i pasur parasysh raportet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ata kanë qenë në një pushim momental dhe janë përcjellë për një kohë të gjatë se ku ata gjinden dhe si veprojnë. Konkretisht ata janë gjendur brenda një pusie të cilën e ka organizuar konkretisht kjo xhandarmëri e që thuhet se kanë qenë më tepër se 15 vetë. Kjo do të thotë se ata [pjesëtarët e Policisë së Kosovës] kanë vepruar mirë që nuk kanë rezistuar duke pasur parasysh raportin me forcat përballë të cilave janë gjendur”, thekson ai.

Mirëpo ai vlerëson se ky rast duhet të jetë një mësim për Policinë e Kosovës në mënyrë që në të ardhmen të ndërmerren masa për parandalimin e një skenari të tillë.

“Unë mendoj se kjo duhet të jetë një shkollë praktike për policinë tonë kufitare që të ndërmarrin masa në mënyrë që të ketë një gatishmëri më të lartë vepruese dhe t’i shmangen rutinës së përditshme të patrullimit, aq më parë kur dihet se kemi të bëjmë me një xhandarmëri e cila është në gjendje të bëjë çmos vetëm e vetëm që të destabilizojë atë pjesë të territorit të Kosovës”, përfundon Qehaja.

Ndërsa njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerëson se Serbia e ka shkelur marrëveshjen e Kumanovës me rrëmbimet e 14 korrikut.

“Rrëmbimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe brenda territorit të Kosovës është shkelje e marrëveshjes së Kumanovës me të cilën përfundoi lufta në Kosovë në vitin 1999. Këto rrëmbime Serbia i bëri me pretekstin kinse policët tanë kishin armë pa leje, e që në fakt policët e Kosovës i kishin armët me leje. Kosova duhet t’i shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike për të bërë çfarë është e mundur që t’i kthejë tre policët në vendin e tyre”, ka thënë Sadiku.

Pavarësisht thirrjeve nga faktori ndërkombëtar për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të njëjtit vazhdojnë të mbahen në Serbi edhe pas një jave prej se u rrëmbyen. Atyre madje u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një reagimi i ka kërkuar Vuçiqit lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policëve të Kosovës.

ShBA-ja, Vuçiqit: Menjëherë dhe pa kushte të lirohen tre policët e Kosovës

Po ashtu, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të hënën (21/06/2023), i kanë bërë kërkesë Serbisë që menjëherë të lirohen policët e Kosovës.

Kërkesë të njëjtë ka bërë edhe Britania e Madhe e edhe Gjermania. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se hapi i parë drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri është lirimi i pakusht i tre policëve nga ana e Serbisë.

Për çudinë e të gjithëve, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i kërkoi Vuçiqit lirimin e tyre.

“Për tre policë të Kosovës, ju lutem i dashur Aleksandër, mendojeni, armiqtë mezi presin ta dëmtojnë Serbinë, është një rast i tillë në të cilin mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë dhe të ia ktheni ata tre shqiptarë Kosovës. Mendoj se kjo do të ju ndihmonte për të çuar përpara kauzën tuaj. Prandaj, po ju kërkoj të mendoni për këtë”, theksoi i pari i qeverisë hungareze, gjatë një takimi që zhvilloi me Vuçiqin në qytetin serb, Paliq.

Lirimin e tyre e ka kërkuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.