Branko Cërvenkovski propozon strategji të re për integrimet evropiane
Ish-presidenti dhe ish- kryeministri Branko Crvenkovski të hënën në një manifestim ku mori pjesë edhe Këshilli i Ambasadorëve, kritikoi procesin e ngadaltë të integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor. Metodologjia e re e negociatave e propozuar nga Franca, sipas tij, nuk ka rezultate sepse procesi ose qëndron në vend ose ka progres simbolik dhe Maqedonia nuk duhet ta shohë problemin vetëm nga aspekti i problemit me Bullgarinë, por më gjerë. Prandaj, sipas Cërvenkovskit, nevojitet një strategji e re për integrime evropiane. Ai promovoi iniciativën për qasje në tregun e përbashkët dhe në fondet evropiane, por jo si një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por si një hap i ndërmjetëm. Një variant, sipas tij, është shfrytëzimi i Zonës Ekonomike Evropiane ekzistuese dhe mundësia e dytë është që BE-ja të nënshkruajë një marrëveshje të re speciale me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor veçmas.
BRANKO CËRVENKOVSKI
“Ne, vendet kandidate për anëtarësim, duhet ta ndihmojmë BE-në që të përcaktojë një strategji më të qartë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe procesit të integrimit të tij. Çfarë është ajo që në këtë fazë është më e rëndësishmja për ne vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në të njëjtën kohë nuk ndërhyn në vendimmarrjen tashmë të komplikuar brenda BE-së? Është akses në tregun e përbashkët dhe në fondet evropiane”.
Përfitimet, sipas tij, do të ishin që vendet e rajonit do të përmirësonin performancën e tyre ekonomike dhe në këtë mënyrë do të ishin më të përgatitura për anëtarësim të plotë. Nga ana tjetër, siç tha ai, BE-ja do të forconte kredibilitetin dhe ndikimin e saj në rajon dhe do të eliminonte të gjitha rreziqet nga ndikimet joevropiane dhe antievropiane.
Ish-presidenti paraqiti dy mënyra për të arritur këtë qëllim. Njëra mënyrë tha ai, është përdorimi i Zonës Ekonomike Evropiane ekzistuese. Ai shpjegoi se një variant i dytë i mundshëm që do të shmangte procedurat komplekse për pranimin e anëtarëve të rinj në EEO dhe do të mundësonte aksesin në fondet evropiane, është nëse BE-ja nënshkruan një marrëveshje të re speciale me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë. Pas prezantimit të tij, ish-presidenti kërkoi nga partitë politike që të mos i vënë vulë partiake kësaj ideje.
Për gjendjen në të cilën ndodhet vendi në negociata, Cërvenkovski thekson se asgjë nuk ka ndryshuar për një vit të tërë.
BRANKO CËRVENKOVSKI
“Aty ku ishim vitin e kaluar, jemi edhe sot, pa progres të dukshëm dhe serioz. Dhe kjo vlen jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për vendet e tjera të rajonit, pavarësisht nëse e quajmë Evropë Juglindore apo Ballkan Perëndimor. Përjashtim mund të bëjë vetëm Shqipëria, për të cilën është marrë vendimi për fillimin e negociatave. Ne i hapëm por nuk i nisëm negociatat. Siç qëndrojnë gjërat, është e vështirë të parashikohet nëse dhe kur do të ndodhë kjo”.
Ai rikujtoi se meqë procesi i negociatave shkonte shumë ngadalë, Franca 3 vite më parë propozoi dhe shtetet e tjera anëtare pranuan një metodologji të re për zhvillimin e negociatave. Megjithatë, theksoi ai, edhe metodologjia e re nuk dha asnjë rezultat. Sipas Cërvenkovskit, nëse nuk ka ndryshime nuk mund të ketë përparim edhe në vitet e ardhshme.