Albin Kurti: Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se është nxjerrë nga lumi Lepenc vetura me trupat e pajetë të familjes Pacolli. Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate në faqen zyrtare në Facebook.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se pas një pune intensive ekipet e kërkim-shpëtimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë arritur ta lokalizojnë veturën në lumin Lepenc ku pas shumë përpjekjeve është arritur nxjerrja e veturës, me trupat e pajetë në të. Ambasada e Kosovës në Shkup shpreh ngushëllimet e saja të thella për këtë tragjedi. Njëherit shprehim falënderim për të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është informuar nga autoritetet për nxjerrjen e tre trupave nga lumi Lepenc.
“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë. Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin. Kurti ka falënderuar edhe ekipet e shpëtimit.
“Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar ai.