Sveçla: Serbia ka shkelur çdo parim ndërkombëtar, të lirohen policët e kidnapuar
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia brenda territorit të Kosovës i ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Kosovës.
Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të Kosovës kanë qenë thellë brenda territorit të Kosovës, dhe se veprimi nga ana e Serbisë është shkelje e çdo marrëveshje e çdo parimi të normave ndërkombëtare.
“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë që ta rrisë presionin ndaj Serbisë që të lirojë policët kosovarë dhe po ashtu të ndalen provokimet.
“Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shkruar Sveçla.