Rajon - Botë

SHBA rikthehet pas 10 vjetësh në UNESCO: Do paguajmë dhe detyrimet e prapambetura

Pas largimit më shumë se 10 vjeçar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të rikthehen në UNESCO, e të paguajnë madje edhe më shumë se 600 milionë dollarë detyrime të prapambetura.

Largimi i SHBA-së nga agjencia kulturore dhe shkencore e OKB-së erdhi pas mosmarrëveshjeve të mëdha mes tyre që pasuan masat e organizatës për të përfshirë Palestinën si anëtare.

Vendimi i Washingtonit për rikthim tani duket se i detyrohet shqetësimeve të tij se boshllëkun e lënë pas nga Amerika në këtë organizatë po e mbush Kina, veçanërisht në vendosjen e standardeve për Inteligjencën Artificiale dhe edukimin teknologjik nëpër botë.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, i dërgoi një letër javën e kaluar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Audrey Azoulay, duke zyrtarizuar planin për t’u ribashkuar.

Duartrokitjet shpërthyen në auditorin solemn të UNESCO-s  në kohën kur Azoulay u njoftoi ambasadorëve planin e SHBA-së, i cili u mirëprit nga delegatët. Kthimi i SHBA-së, dikur financuesi më i madh i agjencisë, pritet të përballet me një votim nga 193 shtetet e saj anëtare muajin e ardhshëm, sipas një diplomati të UNESCO-s.

Vendimi është një nxitje e madhe financiare për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e njohur për programin e saj të Trashëgimisë Botërore, si dhe për projektet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për t’i mësuar vajzave shkrim e këndim.

SHBA dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pasi ajo votoi për përfshirjen e Palestinës si shtet anëtar në 2011, dhe të dy vendet humbën të drejtat e tyre të votës në 2013.