Rajon - Botë

Për arsye shëndetësore të presidentit amerikan, shtyhet takimi mes Bidenit dhe Stoltenbergut

Presidenti amerikan, Joe Biden shtyu takimin me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg dhe anuloi disa takime të tjera publike të hënën për t’iu nënshtruar një procedure të dytë dentare, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden kishte dhimbje dhëmbi të dielën dhe u trajtua nga mjekët në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake “Walter Reed”, thuhet në deklaratën e mjekut. Ai pati sërish dhimbje të hënën, duke bërë që mjekët të bënin një ndërhyrje tjetër dentare.

Takimi i presidentit Biden me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ishte planifikuar të mbahej sot në Shtëpinë e Bardhë, u shty për të martën.

Takimi vjen ndërsa gara për të gjetur pasardhësin e tij është nxehur, raporton zeriamerikes.

Stoltenberg ka udhëhequr aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tre herë. Por, në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet.

Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar ndërsa udhëheqësit e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Vilnius të Lituanisë.

Javën e kaluar, kryeministri britanik, Rishi Sunak i përmendi presidentit Biden, Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, si kandidat të mundshëm. Presidenti amerikan u takua gjithashtu edhe me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, një tjetër pretendente e mundshme.

Gjatë një konferencë shtypi me në krah të Sunakut, Biden e quajti Wallacen një person “shumë të kualifikuar”, por vuri në dukje se diskutimet për të gjetur një kandidat “konsensual’, për të zëvendësuar norvegjezin po vazhdojnë. Opinioni i presidentit amerikan ka peshë të madhe pasi Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për mbrojtjen, më shumë se çdo vend tjetër anëtar i aleancës.

Frederiksen u përpoq javën e kaluar të anashkalonte çështjen e kandidimit të saj të mundshëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s pas takimit me Bidenin. Ajo nuk pranoi të thoshte nëse kishte diskutuar mbi këtë çështje me të, por u tha gazetarëve se nuk donte t’i jepte zë spekulimeve lidhur me NATO-n. Aleanca nuk ka pasur kurrë një sekretare të përgjithshme grua.

Danimarka ka mbetur pas me objektivin e shpallur të NATO-s, për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë, deri në vitin 2030. Por, në fund të muajit të kaluar qeveria e këtij vendi, njoftoi se synonte, që gjatë dekadës së ardhshme, të investonte rreth 20.6 miliardë dollarë për mbrojtjen, për shkak të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë.

Biden dhe Stoltenberg pritet gjithashtu të diskutojnë rreth agresionit rus në Ukrainë si dhe mbi përpjekjet për të bindur Turqinë, një vend anëtar i NATO-s, të heqë dorë nga bllokimi që i ka bërë anëtarësimit të Suedisë në aleancë.