Rajon - Botë

Somali, shpërthimi i një rakete në një shesh lojërash vret të paktën 22 fëmijë

Të paktën 22 fëmijë humbën jetën nga një shpërthim i fuqishëm që ndodhi dje në një park për fëmijë në Somali, raporton Anadolu.

Ibrahim Malabow, një zyrtar i rajonit të Shabelit të Poshtëm, u tha gazetarëve se shpërthimi ndodhi teksa fëmijët po luanin në një shesh lojërash.

Malabow tha se si pasojë e shpërthimit të raketës, 22 fëmijë humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën.

Duke fajësuar organizatën terroriste Al-Shabaab, Malabow tha se fëmijët e vdekur përfshinin 16 djem dhe 6 vajza.

Terroristët e Al-Shabab, të cilët kontrollojnë zonën ku ndodhi ngjarja, pretendojnë se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një granate dore të hedhur nga pjesëtarët e Misionit Tranzitor të Unionit Afrikan në Somali.