Rajon - Botë

Ministrat e BE-së diskutojnë për masat e reja të migracionit

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian u përpoqën sërish sot për të kapërcyer një nga problemet më të vështira politike të bllokut, çështjen e emigrantëve që hyjnë në Evropë pa autorizim.

Një nga propozimet që po diskutohet është që vendet anëtare të cilat nuk duan të pranojnë emigrantë, të paguajnë një shumë prej 20 mijë eurosh për çdo imigrant të regjistruar.Ministrat e punëve të brendshme të Bashkimit Evropian u takuan të enjten në përpjekje për të arritur një marrëveshje si të ndajnë përgjegjësinë e kujdesit për refugjatët dhe migrantët.

Sistemi i azilit i Evropës dështoi tetë vjet më parë pasi mbi një milion njerëz, shumica e të cilëve po iknin nga lufta në Siri, hynë në Evropë dhe mbingarkuan kapacitetet e pritjes sidomos në Greqi dhe Itali. Kjo shkaktoi një nga krizat më të mëdha politike të BE-së.

Presidenca e BE-së, që deri në fund të vitit mbahet nga Suedia, ka propozuar një sistem sipas të cilit vendet që nuk duan të pranojnë imigrantë mund të paguajnë para duke sugjeruar që të japin rreth 20,000 euro për çdo imigrant.

“Kanë kaluar pothuajse tre vjet që kur kam paraqitur këtë propozim të madh dhe ka qenë një maratonë. Falë arritjeve të mëdha gjatë dy viteve të fundit, na kanë mbetur ndoshta edhe 100 metra. Pra, jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje sot”, tha Komisionerja Evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson.

Sipas rregullave ekzistuese, vendet ku migrantët mbërrijnë fillimisht duhet t’i intervistojnë dhe t’i kontrollojnë ata dhe të përpunojnë kërkesat e atyre që dëshirojnë të aplikojnë për azil.

Por Greqia, Italia dhe Malta pohojnë se kjo është një barrë shumë e rëndë për to.

Përpjekjet për të vendosur sisteme kuotash për të ndarë migrantët me vende të tjera anëtare u kundërshtuan në gjykatë dhe më pas propozimi u braktis në tërësi.

“Unë po luftoj për të siguruar që ne të kemi një Evropë me kufij të hapur. Nëse dështojmë sot ose në 14 ditët e ardhshme, ky është sinjali i gabuar. Kjo do të çonte në izolim kombëtar. Unë dua t’i mbaj kufijtë hapur. Ka një kompromis në tryezë”, thotë ministrja e brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser.

Një marrëveshje e re që do të detyronte vendet e BE-së të paktën të paguajnë për emigrantët kërkon mbështetjen e afërsisht dy të tretave të 27 vendeve anëtarëve, por kjo shumicë duhet që gjithashtu të përbëjë rreth dy të tretat e popullsisë së BE-së.

“Mendoj se ky pakt i propozuar parashikon procedurat e regjistrimit dhe azilit në kufi, por edhe solidaritet dhe bashkëpunim me vendet që presin imigrantët”, thotë ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Spanja është një nga vendet që gjithashtu është përballur me një fluks njerëzish që përpiqen të hyjnë nga Afrika Veriore dhe përmes ishujve spanjollë në Atlantik.

“Jam i sigurt se do ta arrijmë marrëveshje. Ne kemi folur shumë për pesë apo gjashtë vitet e fundit. Mendoj se sot është momenti për të arritur marrëveshje sepse nëse nuk e bëjmë, të gjithë do të jemi humbës”, tha ministri i brendshëm i Spanjës, Fernando Gomez.

Ligjvënësit kanë paralajmëruar se takimi i të enjtes është një mundësi e fundit për të zgjidhur çështjen e migracionit përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen në mbarë BE-në brenda një viti, kur migrimi ka të ngjarë të jetë sërish një çështje e nxehtë.