Sela dhe Gashi kërkojnë shtetësi për shqiptarët e Maqedonisë të shpërngulur në Turqi
Kanë ngecur negociatat mes koalicionit ASH-AAA dhe qeverisë lidhur me ligjin për shtetësinë, kurse shkak është bë gjuha shqipe. AS-AAA në propozimin e tyre dërguar qeverisë kërkojnë që për marrje të nënshtetësisë së Maqedonisë së Veriut të mjaftojë njohja e gjuhës shqipe, si dhe ata që kanë hequr dorë më herët nga shtetësia sërish të mund të marn shtetësi të Maqedonisë.
Këto dispozita kontestohen nga qeveria dhe pengojnë ligjin për nënshtetësinë, pas miratimit të cilit duhet të zhbllokohen edhe 20 ligje në Kuvend, ka thënë për PlusInfo një burim i lartë i qeverisë.
Këtë e ka konfirmuar edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili në emisionin Klan Debat, ka shpalos detaje nga ngërçi rreth ligjit për shtetësi. Ai tha se Qeveria kundërshton propozimin e tyre që aplikuesit përveç gjuhës maqedonase, të kenë mundësi që të fitojnë shtetësinë edhe me gjuhën shqipe. Në këto bisedime, Sela tha se nuk ka mbështetjen e partive shqiptare në Qeveri.
“Fatkeqësisht partnerët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë, të paktën nuk e kundërshtojnë kryeministrin kur unë bëj betejë për gjuhën, te ai neni 7 pika e gjashtë të Ligjit për nënshtetësi në të cilën tani thotë se aplikuesit që e marrin me natzraliyim shtetësinë d të duhet ta njohë gjuhën maqedone. Neve kemi propozuar që ta njohin njërën nga gjuhët zyrtare. Tani e fundit kemi dërguar një definicion tjetër, të njohë gjuhën maqedonase ose gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve në kllapa gjuhën shqipe. Dhe fatkeqësisht ne si opozitë shqiptare kemi ngelë vetëm dhe një moment ju kam thënë urdhëroni bëni dhe ju punën tuaj”, deklaroi Sela.
Para ca kohe, kryeministri Zoran aed tha se Ligji për shtetësi i dorëzuar nga ASH-AAA nuk korrespondon me marrëveshjen e arritur në takimet e liderëve.
Pritet që këtyre ditëve, ose më së voni deri në javën e ardhshme të ketë takim mes ministrit të punëve të brendshme Oliver Spasovski dhe përfaqësuesve të ASH-AAA, që të shihet nëse ekziston mundësi për marrëveshje rreth ligjit për nënshtetësi që ai të futet në procedurë kuvendore, pas çka Aleanca dhe Alternativa do t’i tërhiqnin mijëra amendamentet e propozuara, transmeton gazeta Lajm.
Në qeveri kanë thënë se çështja e gjuhës për ta është dakorduar në takimet mes Zaev, Spasovskit dhe Bojan Mariçiqit me liderët e ASH-AAA Zijadin Sela dhe Afrim Gashi. Sipas tyre, tani është e paqartë se pse sërish insistohet për këtë çështje.
“Gjuha maqedonase është zyrtare për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm. Nuk mundet me njohjen vetëm të gjuhës shqipe të meret shtetësi maqedonase, kjo është kundër Kushtetutës. Komunikimi i të huajve që kërkojnë shtetësi maqedonase patjetër duhet të jetë vetëm në gjuhën maqedonase. Pasi të fitojnë shtetësinë, ata, gjuhën shqipe mund ta përdorin në pajtim me ligjin”, ka thënë ky funksionar duke dashur të mbetet anonim.
Sipas tij, në takimet e realizuara, Selës dhe Gashit në takime u është thënë se përveç që është antikushtetuese, kjo kërkesë na qenka edhe diskriminuese për qytetarët e vendeve tjera fqinje që kërkojnë shtetësi maqedonase. Argumentet janë se gjuha shqipe është gjuhë amtare e një vendi fqinj dhe se me këtë vendosen në pozitë jo të barabartë qytetarët e vendeve tjera fqinje që aplikojnë për shtetësi maqedonase, shkruan Plus Info.
“Gjuhë zyrtare jashtë vendit është vetëm gjuha maqedonase. Aleanca dhe Alternativa nuk duhet të insistojnë për zgjidhje tjetër, sepse institucionet nuk do të munden të konfirmojnë ligj i cili është antikushtetues, e pastaj, Gjykata Kushtetuese të interpretojë. Zaten, prej 2.700 kërkuesve të shtetësisë së Maqedonisë vetëm 6 janë refuzuar në bazë të mosnjohjes së gjuhës maqedonase. Andaj vlerësojmë se çështja e gjuhës është mbyllur”, thotë funksionari i lartë i Qeverisë.
Nga pushteti thonë se është e kontestueshme edhe dispozita me të cilën Sela dhe Gashi kërkojnë që qytetarët të cilët më herët kanë hequr dorë nga shtetësia maqedonase, tani sërish të mund ta marrin. Ata kërkojnë që në ligj të fshihet dispozita “vendi amë”.
Kryesisht bëhet fjalë për qytetarë që në ish Jugosllavi në vitet 50-ta janë larguar për në Turqi. Atë kohë ata kanë hequr dorë nga shtetësia jugosllave, respektivisht kanë dhënë deklaratë se Turqia është vendi i tyre amë. Sela dhe Gashi kërkojnë tani që kjo të mos vlejë, respektivisht ata qytetarë dhe pasardhësit e tyre tani të mund të pajisen me shtetësi të Maqedonisë. Argumentet e liderëve të Aleancës dhe Alternativës janë se ata kan hequr dorë nga shtetësia sepse asokohe ka pasur regjim dhe kanë qenë të detyruar t’i nënshkruajnë deklaratat dhe se këtë nuk e kanë bë vullnetarisht.
Këtë çështje janë duke e shqyrtuar ekspertë të MPB-së, nëse mundet dhe si mund të zgjidhet. Janë duke u bë analiza se çfarë pasoja për shtetin mund të ketë nëse nga ligji fshihet dispozita “vendi amë”. Respektivisht nëse djemtë dhe vajzat e qytetarëve që atë kohë janë deklaruar se “vend amë” e kanë Turqinë, tani nëse marrin shtetësi maqedonase do të kërkojnë të trashëgojnë pronat e paraardhësve të tyre, nëse pasuritë e tyre janë nacionalizuar dhe nëse tani do t’i kërkojnë dhe do të mund t’i kthejnë pasuritë.
Sipas pushtetit, dispozitat tjera të Ligjit për shtetësi janë dakorduar dhe prej qeverisë shpresojnë se ASH-AAA nuk do të insistojnë për gjuhën “dhe të dështojë marrëveshja për ligjin”.