Rajon - Botë

Franca dënon shpërthimin e digës dhe dërgon ndihma në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se do të dërgojë ndihma urgjente për të mbuluar nevojat e Ukrainës pas shkatërrimit të digës Kakhovka.

“Franca dënon këtë akt të urryer që rrezikon popullsinë”, shkroi presidenti francez në një postim në Twitter pas bisedës telefonike që pati me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky. “I shpreha Presidentit Zelensky solidaritetin tim me popullin e tij pas sulmit në digën Kakhovka”, shtoi ai.

Sipas Elysée, Qendra e Menaxhimit të Krizave të Ministrisë së Jashtme franceze do të dërgojë menjëherë në Ukrainë një ngarkesë prej dhjetë tonësh produkte higjienike, filtra uji dhe një rezervuar portativ.

Më herët, presidenti ukrainas njoftoi se e informoi homologun e tij francez për “pasojat mjedisore dhe humanitare të aktit terrorist rus” dhe iu referua “nevojave urgjente” për t’u marrë me fatkeqësinë në rajonin Kherson.

Moska dhe Kievi fajësojnë njëra-tjetrën për shembjen e një dige hidroelektrike në lumin Dnieper, e cila përmbyti qytete dhe fshatra si në bregun e mbajtur nga forcat ruse ashtu edhe në bregun që mbetet nën kontrollin e Ukrainës.

Zelensky tha se kishte rënë dakord me Macron për të vazhduar “bashkëpunimin për çështjet e mbrojtjes”, veçanërisht në mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Ai gjithashtu falënderoi presidentin francez për mbështetjen e tij ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u diskutua për samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius të Lituanisë.