Lëshohet në përdorim Qendra Urgjente në Spitalin Klinik në Tetovë
Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti me drejtorët e Spitalit Klinik, Pëllumb Vela dhe Blerim Osmani e prenë shiritin e kuq dhe në mënyrë solemne shënuan fillimin me punë të Qendrës Urgjente. Kjo Qendër Urgjente do të jetë vend për trajtim të rasteve urgjente të cilat deri më tani janë trajtuar në ambulancat e Repartit për sëmundje interne dhe të kirurgjisë.
“Në Spitalin Klinik të Tetovës është vënë në përdorim qendra e re e urgjencës, ku para së gjithash do të bëhet triazhi dhe përveç kësaj do të lehtësojë repartin e sëmundjeve interne. Qendra Urgjente përfshin sallën për kujdes intensiv, hapësirë për EKG, hapësirë për Eho, hapësirë për ndërhyrje të vogla kirurgjike dhe të ngjashme. Hapja e kësaj Qendre do të nënkuptojë ngritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor që ju ofrohet qytetarëve të Tetovës dhe rajonit, ndërsa poashtu janë duke u bërë përpjekje për sigurimin dhe përforcimin me kuadër dhe me pajisje shtesë mjekësore”, tha ministri Fatmir Mexhiti.
Drejtori i Spitalit Klinik, Pëllumb Vela tha se po bëhet realitet një ëndërr e madhe për hapjen e Qendrës Urgjente.
Me hapjen e kësaj Qendre Urgjente do të përmirësohet shumë puna e reparteve të tjera të cilat ishin të stërngarkuara me pacientë. Qëllimi është që të vijnë këtu, do të ketë dy deri tre mjekë, dy deri tri motra medicinale, infermier dhe teknik, i gjithë ekipi. Edhe në pjesën e internistikës do të kemi mjekë edhe në bllokun e kirurgjisë, ndërsa eventualisht kanë nevojë për operacion, ato do të realizohen në bllokun kirurgjik. Kjo do të jetë për raste urgjente “, theksoi Vela.
Në pyetjet e gazetarëve se pse tani fillon të punojë objekti si Qendër Urgjente, duke pasur parasysh se një pjesë e hapësirave tashmë disa vite përdoren për qëllime të tjera, dy bashkëbiseduesit nuk patën përgjigje konkrete.