Maqedoni

Dy të burgosur gjenden të vdekur në burgun e Idrizovës

Brenda dy ditëve, në burgun e Idrizovës janë gjetur të vdekur dy të dënuar, përcjell TV21. Dy të burgosurit e vdekur ishin nga Shkupi, ndërsa nga MPB thonë se trupat e pajetë të të vdekurve janë dorëzuar për obduksion.

“Me datën 06.06.2023 në ora 03.55 në SPB-Shkup, nga burgu “Idrizovë” është raportuar se i dënuari V.L. (50) nga Shkupi, i cili po vuante dënimin me burg prej 11 vjetësh, është gjetur i vdekur në dhomën e repartit gjysmë të hapur. Mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen pa shenja të dukshme dhune dhe me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion”, thonë nga MPB.

“Më datë 05.06.2023 në ora 09:20 në SPB-Shkup, nga burgu “Idrizovë” është raportuar se i dënuari B.A.(82) nga Shkupi është gjetur i vdekur në institucion. Një mjek i Urgjencës Mjekësore ka konstatuar vdekjen pa shenja dhune të dukshme. Kontroll është kryer nga ekipi inspektues i SPB-Shkup dhe me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i të ndjerit është dorëzuar për obduksion”, deklarojnë nga MPB.