Maqedoni

Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë rritje të ardhurave të tyre për 78 për qind, si pagat e politikanëve

Disa persona me aftësi të kufizuara mbrëmë kanë kaluar natën para Qeverisë, duke përcjellë porosinë se nuk po tërhiqen nga lufta e tyre për drejtësi.

Protesta që kërkon rritje 78 për qind të të ardhurave të personave me aftësi të kufizuara ka moton “Drejtësia sociale, pa diskriminim”. Përveç rritjes së të ardhurave të personave me aftësi të kufizuara, pjesëmarrësit kërkojnë edhe rritje të pensioneve dhe pagave të të gjithë qytetarëve me 78 për qind, aq sa janë rritur pagat e ministrave, deputetëve dhe gjithë funksionarëve tjerë.

“Nuk kërkojmë mëshirë, por të drejta dhe drejtësi për të gjithë qytetarët! Kërkojmë rritje prej 78 për qind të ardhurave, ashtu siç kanë rritur të ardhurat politikanët. Ne nuk jemi viktima, por luftëtarë, ndaj u bëjmë thirrje të gjithëve që e shohin veten si luftëtarë të na bashkohen në protestë. Kjo nuk është një protestë partiake, por një protestë qytetare për nder, drejtësi, një jetë dinjitoze për të gjithë ne. Mbetemi para Qeverisë dhe vazhdojmë luftën”, tha aktivisti civil Blagojço Gjorgiev, i cili është person me aftësi të kufizuara fizike, transmeton Agjencia e Lajmeve Zhurnal.

Janë të shpeshta reagimet e personave me aftësi të kufizuara për nivelin e të ardhurave të tyre, të cilat nuk mjaftojnë as për nevojat elementare. “Fokus” në disa raste ka publikuar dëshmi të personave me aftësi të kufizuara, por edhe të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët haptas pyesin se si mund të mbijetohet me 5.000 apo 7.000 denarë në muaj dhe në të njëjtën kohë të kenë jetë cilësore./