A do e lejojmë Ramën të varrosë idenë e shqiptarizmit?
Shkruan: Sead Zimeri
Kryeministri Rama po merret me Kosovën ashtu siç merren me Kosovën ndërkombëtarët, nga një pozicion neutral, i paanshëm, objektiv. Kjo është shumë mirë nëse populli i tij nuk do të ishte shqiptarë, nëse Kosova do të ishte e populluar me serbë dhe qytetarë të nacionaliteteve të tjera. Por Kosova është shqiptare. Trajtimi i saj thjesht si një vend fqinj, i barabartë me Serbinë dhe Greqinë, është i mundur vetëm në këndvështrimin e tjetërsimit dhe të parëndësisë së identitetit shqiptar.
Kosova mbi të gjitha ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, si kur politikat e tyre përputhen, ashtu edhe kur politikat e tyre nuk përputhen. Edi Rama mesa duket nuk e kupton këtë, ose e kupton por bën sikur nuk e kupton. Nuk duhet Shqipëria ta trajtojë Kosovën nga perspektiva e interesit vetjak, sepse ne kemi diçka më të madhe të përbashkët, të cilën ia vlen ta ruajmë dhe ta kultivojmë, qoftë edhe duke sakrifikuar një pjesë të interesit vetjak.
Nëse Shqipëria nuk i qëndron krah Kosovës kur i duhet më shumë, atëherë nacionalizmi shqiptar nuk ekziston më. Sepse vetëm këtu, në këtë formë solidariteti pa kushte, është dëshmia e ekzistencës së shqiptarizmit. Nëse ekziston vetëm në folklor dhe këngë, atëherë është nacionalizëm në tërheqje, nacionalizëm para vdekjes. Shqiptarizmi ose i përfshin të gjithë shqiptarët ose nuk vlen asgjë.
Ndaj duhet të mendojmë edhe një herë nëse ia vlen të ringjallet shqiptarizmi apo do ta lëmë Ramën ta varrosë dhe ta bëjë pjesë të historisë.
Tani mund të flasim për projekte shtetërore, për nacionalizma të dobët qytetarë që kanë lidhje me shtetin, por pa ndonjë lidhje më të gjerë me shqiptarizmin si ind i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Jetojmë në një kohë kur nacionalizmi shqiptar ka mbetur pa dhëmbë, pa asnjë pushtet normativ e politik.
Kurti është ndoshta i vetmi politikan që ende beson në të mirat e shqiptarizmit për të gjithë shqiptarët, por as brenda Kosovës dhe as jashtë saj kjo ide nuk gjen realizim politik. Të marrin si naiv dhe budalla nëse flet për nevojën e shqiptarizmit, për nevojën për të qëndruar bashkë.
Fitorja më e madhe e armiqve tanë historik është vrasja e idesë së shqiptarizmit, ndarja e shqiptarëve jo në nivelin administrativ shtetëror, por në nivelin e idesë së shqiptarizmit dhe nevoja për të qëndruar bashkë, në të mirë e në të keq.
Jam bërë shumë pesimist për idenë e shqiptarizmit, një ide që i bashkon shqiptarët jo në urrejtje ndaj të tjerëve, por në dashuri për veten, në mbrojtje të veçantisë sonë gjuhësore dhe kulturore. Nëse nuk luftojmë për shqiptarizmin, ai nuk do të mbijetojë, sepse nëse të qenurit shqiptar nuk ka peshë politike, atëherë shiptarizmit do t’i vijë fundi.
E kam fjalën për shqiptarizmin si nacionalizëm mbarëshqiptar, që është një projekt politik, jo moral apo etik. Në aspektin moral, shqiptari nuk duhet të bëjë dallim mes asnjë njeriu në sipërfaqen e dheut. Askush nuk meriton të trajtohet keq apo padrejtësisht për shkak të identitetit të tij. Por si projekt politik shqiptarizmi synon avancimin dhe ngritjen e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Shqiptarizmi kërkon të krijojë një ndërgjegje të përbashkët politike kolektive që pavarësisht se shumë gjëra na ndajnë, ne kemi një identitet të përbashkët dhe ky identitet, më i larti që ekziston për ne, duhet të kultivohet dhe të mbrohet nga armiqtë që duan të na shohin të ndarë.
Kam frikë dhe shpresoj ta kem shumë, shumë gabim, se shqiptarizmi po shuhet dhe po zhduket ndjenja sublime që kemi kultivuar me shekuj dhe për të cilën jemi persekutuar, shtypur e vrarë.