Dy vëllezërit shqiptarë, pronarë të kompanisë së suksesshme në Zvicër
Emri FF Partner AG përmban inicialet e emrave Fatos dhe Faton. Arkitektura është përgjegjësi e Fatosit, ndërsa realizimi, përgjegjësi e Fatonit
Fatos dhe Faton Gashi janë vëllezër dhe në të njëjtën kohë partnerë në drejtimin e kompanisë “FF Partner AG”. Fatosi është arkitekt ndërsa Fatoni, inxhinier ndërtimi. Ata plotësojnë njëri tjetrin në punën që bëjnë, duke synuar më të mirën.
Në një intervistë për Albinfo.ch Fatosi dhe Fatoni zbulojnë “sekretin” e suksesit të punës së tyre, tregojnë se cili nga ta është më kërkues, më i guximshëm dhe cili më konservator etj.
Albinfo.ch: Na tregoni si keni filluar biznesin e arkitekturës dhe ndërtimit, si ju ka ardhur ideja dhe sa jeni të kënaqur deri më tani me rrugën që keni ndjekur në profesionin tuaj ?
F.F. Gashi: Ne e kemi themeluar kompaninë më 3 shkurt të vitit 2015 dhe tani jemi aktivë në biznesin e ndërtimit për më shumë se 8 vjet. Ne kishim idenë për të themeluar një kompani së bashku që kur ishim të rinj, por kush mund ta kishte parashikuar që kjo një ditë do të bëhej realitet?
Albinfo.ch: Ju, si shqiptarë në Zvicër, a jeni mbështetur gjatë punës tuaj më shumë në komunitetin e këtushëm shqiptar apo jo?
F.F. Gashi: Kemi shumë klientë me prejardhje të ndryshme, por edhe me shumë të tillë nga vendi ynë. Shqiptarët që jetojnë në Zvicër ndjehen me ne sikur janë në shtëpinë e tyre dhe shpejt fitojnë një besim të madh tek ne. Këtë avantazh e kemi vënë re vitet e fundit.
Albinfo.ch: Sa e vështirë ishte për ju të depërtoni në tregun zviceran të ndërtimit?
F.F. Gashi: Aspak. Ne jemi rritur këtu dhe të gjitha kualifikimet i kemi bërë në Zvicër. Pra, ne e dimë mentalitetin dhe nevojat e popullatës zvicerane, pavarësisht faktit se ne si “zviceranë me prejardhje të jashtme” duhet të përballemi me paragjykimet.
Albinfo.ch: Cilat janë vështirësitë dhe cilat probleme provoni t`i zgjidhni ju si vëllezër, së bashku?
F.F. Gashi: Sfida tek ne qëndron për të gjetur tokë ndërtimi të përshtatshme dhe me çmim të përballueshëm për klientët tanë. Vitet e fundit në zonën tonë është ndërtuar shumë, kështu që prona është bërë shumë e rrallë. Përveç kësaj, çmimet kanë “arritur në qiell” vitet e fundit. Shumë familje “normale” që punojnë, vështirë se mund të përballojnë të kenë një shtëpi.
Albinfo.ch: Çfarë shkollimi keni të kryer dhe a na flisni pak për biografinë tuaj?
F.F. Gashi: Fillimisht ne kemi bërë praktikë si hartues dhe më pas kemi vazhduar shkollimin në rrugë të ndryshme. Vëllai im Fatosi është diplomuar për arkitekt. Nga ana tjetër, unë gjithmonë kam preferuar më shumë punën jashtë zyrës. Kështu, pas diplomimit për inxhinier ndërtimi, kam punuar si menaxher kantieri në një kompani për një kohë të gjatë, ndërsa tani kam bërë edhe masterin në ekonomi ndërtimi.
Albinfo.ch: Sa është interesante të merreni me arkitekturë dhe ndërtim?
F.F. Gashi: Një ëndërr na është bërë realitet. Ky është pasioni ynë, të planifikojmë objekte, por edhe t’i realizojmë ato. Ne jemi të motivuar sërish me çdo objekt dhe gëzojmë privilegjin për të krijuar diçka që mund të qëndrojë për njëqind vjet.
Albinfo.ch: A ekziston ndonjë konkurrencë mes jush?
F.F. Gashi: Aspak. Fushat tona të përgjegjësisë janë të ndara qartë, kështu që ne plotësojmë njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur. Fatosi është më i përkushtuar ndaj arkitekturës dhe unë kam përgjegjësinë për realizimin dhe menaxhimin e kostos.
Albinfo.ch: Cili nga ju është më kritik dhe me më shumë kërkesa gjatë punës?
F.F. Gashi: Mendoj se Fatosi është një perfeksionist absolut si arkitekt dhe nuk i lë asgjë rastësisë.
Albinfo.ch: A i keni ndarë ju, si vëllezër, rolet mes vete në ndërmarrjen tuaj, apo të gjitha punët i bëni bashkë?
F.F. Gashi: Po, siç u përmend më parë, rolet tona janë të ndryshme. Kjo është arsyeja pse “slogani” ynë FF Partner AG (arkitekturë dhe realizim) është i njëjtë, me FF që nënkupton inicialet tona ashtu që arkitektura është fusha e përgjegjësisë së Fatosit, ndërsa realizimi është fusha ime e përgjegjësisë.
Albinfo.ch: Cilat veti ju dallojnë nga njëri–tjetri?
F.F. Gashi: Unë sigurisht jam për një mënyrë ndërtimi më konservatore, ndërsa Fatosi ka guximin të bëjë edhe gjëra që duken të ndërlikuara.
Albinfo.ch: Si ekspert në këtë fushë, na thoni: është më mirë të blesh apo të marrësh me qira?
F.F. Gashi: Me rritjen e normave të interesit vitet e fundit, sigurisht që është më e vështirë të financosh shtëpinë tënde, por kërkesa është ende shumë e lartë. Nëse normat e interesit ulen, kjo do të vazhdojë të mbetet e tillë.
https://www.ffpartner.ch/
Foto: Armend Berisha