Kur do të vinë ditët më të mira për shqiptarët e Iliridës-Maqedonisë?
Prof. Etem Xheladini – Gavella
Nuk më mban të mërzitur momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar mbi katër dekada të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës për të cilën kalova.” Për 42 vjet në arsim (1 Shtator 1978 – 30 Gusht 2020), në jetën time kam mbajtur parasysh këshillën nga fjalët e urta: “…në jetë bëje vetëm atë që duhet ta bësh, mos e bën atë që s’duhet ta bësh!”
Pata nderin që herët të mësoj se kush jam (meqë jam nipi i dëshmorit të kombit) dhe kush mund të bëhem! Nëse nuk e di se kush je, nuk do ta dish as se kush do të bëhesh! Tani “po dal nga një derë shumë e çmuar, dera e shkollës, e vatrës për arsim” në të cilën kam hyrë para 42 vjetësh në një derë të tillë. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdorur çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert kur bëhej fjalë për arsimin shqip dhe për këtë ndihem krenar! Pse po largohem?
Edhe pse kam të drejtë të vazhdoj edhe për tri vjet të punoj sipas ligjit aktual pas kohës së pensionimit, unë përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh në momentin deri kur mund të kontribosh se sa të punosh atëherë kur nuk mund të kontribuosh! Kam pëlqyer një aforizëm se ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaftë! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën!
Eshtë mjaft nëse “lë pas vetes” ata që mund të të trashëgojnë: nxënësit e shkollave fillore “Dituria”- Goshincë, Bashkimi -Nikushtak, “Naim Frashëri” -Kumanovë, shkollave të mesme gjimnazit “Sami Frashëri” – Kumanovë, paraleleve të shkollave të mesme Teknikës, Ekonomike, Bujqësore, studentët e Universitetit të Fadil Sulejmanit e Europës Juglindore në Tetovë, Fakultetit të “Administratës e Biznesit” në Kumanovë, nxënësit e paraleles në shkollën fillore të muzikës Kumanovë. Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Tani po përshendetem me ju dhe me institucionet në të cilat kam punuar për 42 vite me radhë. Po shkruaj një shkrim që mund të kualifikohet si një shkrim lamtumirës. Kush shkruan shkrim lamtumirës, ai duhet ta ketë merituar shkrimin inaugurues. Lartësia e malsisë “nuk matet me sy”, por “me këmbë!” Fillova punë në shkollën fillore “Dituria” -Goshincë në Malësinë e Karadakut më 1978, hapa shumë dyer të shkollave fillore, të mesme e fakulteteve dhe jetën time edukative-arsimore po e përfundoj në SHFK “Naim Frashëri” -Kumanovë. Në jetën time kam ecur në këmbë që “mos të më mashtrojnë sytë!”
Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar nxënësve të gjeneratës sime të parë dhe gjeneratave të shumta që kam përcjellë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të arsimtarit në gjuhën letrare që të më “konsideroni të mençur”, pa kuptuar gjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të gjuhës së unjësuar të popullit që “t’i kuptoni të gjitha”.
Besoj se më kanë kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka patur mundësi të më kuptojë! Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!” Jeta në të shumtën i ngjan tregtisë: në të mund t’i investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që e kemi arritur sesa me atë në të cilën shpresojmë! Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë!
Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion, meqë arsimi shqip kaloi nëpër sfida të rënda me dekada. Kjo ma kujton: kur dënohet ndonjë dyzetvjeçar me pesëdhjetë vjet burg e ai t’i drejtohet trupit gjykues me: faleminderit, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë! Dyzet e dy vjet në arsim mund t’i mbajë dhe të ushqejnë vetëm nxënësit me dituri, e t’ju krijojë kushte sadopak studentëve me hapjen e Fakultetit të “AB” – Kumanovë.
Falenderimi im është për ata, për nxënësit e studentët, e mbi të gjitha për Zotin e Madh. Thuhet nga fjalët e mençura popullore se “ti je ai që të tjerët mendojnë për ty e jo ai që mendon për veten tënde!” Ju falënderoj nga zemra për konsideratën të gjithë atyre që keni shprehur mendimet për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të karierës time në procesin edukativo-arsimor. E pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e dy nxënësve e një studenti të cilët kishin shkruar: “Do ju kishim lutur Zotit që të ta zgjatë jetën që të na mësoni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!” Edhe si nxënës asnjëherë nuk kam kaluar në faqen e dytë pa e mësuar të parën! Fjala më e mirë dhe ndoshta e vetmja që e kam mësuar prej anglishtes është step by step! Vetëm ai që nuk kërkon asgjë prej jetës, “përfiton” prej saj!
Do t’ju kisha sugjeruar se në jetë duhet që të kërkoni shumë që të përfitoni pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Gjeneratën më të ndritshme, rininë, nxënësit, studentët do t’i kisha porositur që të mos jetojnë pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të mos jetojë!” Do t’ju kisha sugjeruar që të ecni me kohën, do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa. Jam përpjekur që mos ta gaboj rrugën. Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mashtron” për atë që nuk e bëjmë. Sillemi me padrejtësi ndaj jetës.
Duke u nisur nga ajo që unë si i ri kisha ambicie të mëdha, erdha në përfundim se synimi i rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!” Mos synoni atë që e ndaloi Zoti më shumë se atë që lejohet! Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos bën opa përpara se ta bësh hapin! Kujdes, kemi edhe një thënie se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!
Dua t’ju them nga përvoja se më së shumti më kanë munduar patriotët me fjalë e ilegalë, ndërsa në jetën e tyre nuk e kanë bërë asnjë vepër patriotike, gjithherë duke u përpjekur që t’i përvetësojnë veprat e të tjerëve.” Të flasësh apo të heshtësh?
Do të kisha sugjeruar që asnjëherë mos të heshtni kur duhet të flitni; kisha një porosi për rininë-ardhmërinë e kombit, përherë hesht kur nuk e ke fjalën! Njerëzit flasin shumë sepse “fjalët i kanë falas!” Prandaj, fol tamam! Prej njeriut që flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”, për kohën alarmuese është se: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës”! Kam një porosi që të shoqëroheni me më “të vjetërit” që kontribuan dhe lanë gjurmët e veta ndër vite për kauzën kombëtare, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shitni mend” më të “vegjëlve” që të dukeni më të mëdhenj!
Kam një porosi: “Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”. Nuk jetoj në iluzione se të gjitha që i kam bërë, të njëjtat janë të përkryera e të përsosura. Jam përpjekur që punën time ta përshkojë ndershmëria, mendoj se punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë.
Në popull ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë! Në jetë nuk duhen vetem duartrokitje, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po shkoj me kohë në pension “që të më zëvendësojë një i ri e më entuiziast!” Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetvete e të them se nuk ka kush të më zëvendësojë”. Bota u mbetet të rinjve. Asgjë nuk i kam mësuar të tjerët përpara se ta mësoj veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.
Në jetë kam pëlqyer që të mos prishem me të tjerët pa jua ndaluar të tjerëve që “të prishen me mua”. Është nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas. Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!” Profesionin më të mirë e kam konsideruar atë që “t’i mësosh të tjerët atë që e ke mësuar për veten”. Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh sesa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe mua shumë.
Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes kombëtare”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks seç “po paraqitet”; më i vështirë seç “po mendohet” dhe më i gjatë seç “po parashikohet”, jo për fajin e të tjerëve, por për fajin tonë. Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë.
Kemi hedhur hapin, pa e fiksuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin se ku është Etem Xheladini, përgjigjesha: “Aty ku është çështja kombëtare”. Kur më pyesnin për fatin e arsimit shqip , përgjigjesha: “Nuk do të shuhet Arsimi Shqip derisa të ketë një shqiptar!” Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po iu përgatitet shqiptarëve, përgjigjesha se për aq sa kemi punuar, të drejtat na janë të cunguara. Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:
“Atëherë kur punojmë për veten”. Me këte dua të them se e nesërmja është e juaja rini dhe mos ia falni askujt tjetër! Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar!” Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës! Kam parapëlqyer të jetoj jo nga arsimi, por për arsimin. Më kanë thënë pse nuk bëhesh doktor shkence, meqë ke rastin që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë. Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur arsimi degradohet. Ndërgjegjja e pastër e punëtorëve të arsimit “e zbardhë fytyrën e arsimit”, arsimtari do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjen, ashtu siç e lanë fytyrën”. Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: “Edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.”
Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhëtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin mos ua falë besimin!” Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh. Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. Kam folur dhe kam shkruar në mediume të ndryshme të shkruara e vizuele, kam botuar katër libra për kauzën kombëtare në Iliridë – Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Po e mbyll shkrimin tim me pyetjen: Sa kohë më është dashur që ta përgatis këtë shkrim? Shkurt – tërë jetën!
Mbani në mend: “Të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”. Po e përsëris porosinë e parë: “Në jetë bën vetëm atë që duhet ta bësh, mos e bën atë që s’duhet ta bësh!”
Kumanovë