Kosovë

Shqiptarët e Mitrovicës dalin në protesta me flamuj kuq e zi: “Jo nuk ndahet Mitrovica”

Në pjesën jugore të Mitrovicës u mbajt një tubim paqësor i qytetarëve shqiptarë të cilët shprehën mbështetjen e tyre për autoritetet kosovare për situatën në veri të Kosovës, raporton Anadolu.

Tubimi u mbajt në mesditë dhe zgjati rreth gjysmë orë, ndërsa ishte e shoqëruar nga forca të shumta policore.

Në tubim ishin të pranishëm rreth njëqind persona, shumica prej tyre tifozë të klubit sportiv Trepça nga Mitrovica, të cilët mbanin flamuj shqiptarë, këndonin këngë patriotike shqiptare dhe brohorisnin “UÇK”.

Egzon Islami, njëri nga të rinjtë e pranishëm në tubim, në një prononcim për Anadolu tha se të rinjtë janë mbledhur për të shprehur zemërimin e tyre për ngjarjet në veri të Kosovës. Ai beson se pjesa veriore e Kosovës, ku jeton popullata serbe, është më shumë një çështje politike që mund të zgjidhet.

“Jemi lodhur me ta, 23 vjet pas luftës, 100 vjet kemi qenë nën okupimin e tyre. U bë boll më. Në njëfarë mënyre, kemi dalë të shprehim një mllef”, tha Islami.

Tubimi është organizuar përmes rrjeteve sociale me thirrje për të marshuar drejt pjesës veriore të qytetit, por Policia e Kosovës më herët gjatë ditës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bëhen viktimë e thirrjeve që kanë prapavijë të dyshimtë.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, që ndan qytetin në pjesën jugore dhe veriore, është e mbyllur për qarkullim dhe mund të kalohet vetëm në këmbë. Mitrovica është një qytet që është ndarë që nga viti 1999 në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe.

Tubimi i sotëm ka ndodhur pas përleshjeve që ndodhën ditëve të fundit në veri mes qytetarëve serbë dhe forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe ushtarëve të trupave të NATO-s, KFOR-it.