BESA: Sot pas gjashtë viteve lirohet nga burgu Abdylfeta Alimi
Lëvizja BESA konsideron se sot është dita kur ne të gjithë duhet të turpërohemi para shqiptarëve, para Feta Alimit, i cili për 6 vite padrejtësisht është mbajtur në burg. Ndërkohë Agim Islami dhe shumë shqiptarë tjerë vazhdojnë që në mënyrë të padrejtë të mbahen në burg si rezultat i montimit të proçeseve nga sistemi i kalbur i drejtësisë i udhëhequr nga oligarkët dhe bartësit e pushtetit ekzekutiv.
“Alimi vuajti 6 vite e dy muaj burg nën akuzën për mosbindje ndaj urdhrit të paligjshëm dhe mos veprim, ndërsa dy ish deputetët Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski veprimet e të cilëve kryqëzohen me akuzën e Feta Alimit dhe të cilët hapën portën kryesore të Kuvendit duke mundësuar hyrjen e protestuesve të dhunshëm në Kuvend u lanë të lirë si rrjedhojë e pazareve dhe interesave politike të klanit qeverisës.
Ky rast dhe shumë raste të tjera të montuara gjyqësore dëshmojnë qartë se sistemi i drejtësisë, gjykatat dhe prokuroria janë të kapur nga politika dhe klanet e krimit dhe të korrupsionit. Gjashtë vite kanë folur për reforma në drejtësi, veting dhe gjyqësi të pavarur e nuk kanë qenë në gjendje të lirojnë nga burgu Abdylfeta Alimin, njeriun i cili ditën e 27 prillit ishte në shërbim të demokracisë dhe detyrës së tij.
Për faktin se sa është katandisur sistemi gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut flasin edhe deklaratat gjithnjë e më të ashpra të përfaqësuesve të huaj diplomatik për ndikimet politike në të gjitha sferat e sistemit të drejtësisë, për rezultatet e dobëta në zbatimin e reformave në gjyqësor dhe gjendjen e mjerueshme të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në burgjet e vendit. Si dëshmi për këtë flet edhe vetë fakti që vendet anëtare të BE-së kanë filluar që të tërheqin projektet e financuara me fonde të BE-së për reformat në gjyqësor si rrjedhoj e keqmenaxhimit dhe dështimit të rëndë të reformës në sistemin e drejtësisë.
Këto deklarime dhe kjo situatë janë në një vijë me deklarimet e Lëvizjes Besa se ky shtet mban peng integrimin e vendit në BE për interesat klanore dhe politike të një grupi të vogël politikanësh të korruptuar.
Për të mos u përsëritur raste të tilla në të ardhmen duhet një qeveri e re e cila do të angazhohet për pavarësi të plotë në pushtetit gjyqësor, reforma në drejtësi dhe veting në gjyqësor”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.