Ish ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku: Albin Kurti po e destabilizon Kosovën!
Situata në Kosovë po rrëshqet në drejtim të padëshiruar. Kështu u shpreh për A2 CNN ish-ambasadori Arben Çejku, sipas të cilit kokëfortësia e Kurtit po destabilizon Kosovën. Ai thekson se zhvillimet e pritshme nuk janë pozitive për Kosovën pasi në mungesë të KFOR situata do të ishte tragjike.
“Situata në Kosovë po rrëshqet në drejtim të padëshiruar dhe shmangia e përgjegjësisë duket ashiqare se ka kokëfortësi të ekzekutivit të Kosovës për të mos marrë parasysh dëmet që po i shkaktohen Kosovës. Kurti duhet të marrë në konsideratë zhvillimet e pritshme që nuk janë pozitive për Kosovën, sepse në mungesë të KFOR do kishim situatë tragjike në veri. Sovraniteti i Kosovës nuk fillon me qeverisjen e zotit Kurti, por më herët dhe është mbështetur nga SHBA e partnerët që ka kohë që i bëjnë thirrje Kurtit”.
Çejku thekson se zgjedhjet janë legjitime dhe të mbështetura nga faktori ndërkombëtar, por sipas tij Kurti duhet të tërhiqet një orë e më parë se ka hyrë në qorrsokak.
“Qeveria e Kosovës ka të drejtë të dërgojë në veri të zgjedhurit dhe faktori ndërkombëtar i mbështeti për t’i dhënë një mesazh Beogradit e Kosovës për të kuptuar se ata janë në Kosovë dhe ardhmëria e tyre është në shtetin e Kosovës. Këto zgjedhje ishin të pashmangshme dhe legjitime dhe faktori. Serbët të diktuar nga Beogradi zgjodhën t’i bojkotojnë zgjedhjet. Zgjedhjet ishin legjitime por ushtrimi i këtij legjitimiteti kërkon një mekanizëm pajtues në përputhje me këshillat e faktorit ndërkombëtar. Kokëfortësia dhe refuzimi i dy kryetarëve të vetëvendosjes për të mos marrë pjesë në takim në mëngjes me miqtë e Kosovës nuk është shenjë e mirë. Nuk mund t’i reagohet sekretarit Blinken në këto forma e mënyra. Sa vlen legjitimitetit i kryetarëve të komunave që janë zgjedhur në proces pa pjesëmarrjen e serbëve përballë stabilitetit të Kosovës? Po rrezikohet stabiliteti i Kosovës, Kurti ka hyrë në qorrsokak duhet të tërhiqet një orë e më parë se kjo nuk është rruga për ti shkuar legjimitetit deri në fund. Ajo që duhet të tërhiqet është mazhoranca që është qeveria, shtetit e lidershipi i Kosovës që duhet të kujdesen për stabilitetin e brendshëm. Mosdakordësia me faktorin ndërkombëtar që kanë ushtarët në veri janë vende që e kanë mbështetur Kosovën Më mirë të kemi 4 kryetarë komune më pak dhe të kemi stabilitet afatgjatë në Kosovë e të kthehet në tryezën e bisedimeve”./A2CNN