Maqedoni

Bakllavaja “Angela Merkel” shërbehet falas për fitoren e Erdoganit në Çarshinë e Shkupit (Foto)

Dostana Mustafçe është fytyrë e njohur për vizitorët e Çarshisë së Shkupit. Ëmbëltorja e saj në rrugën “Azem Hajdari” në zemër të Çarshisë ka kohë që ka tërhequr vëmendjen e mediumeve, si për ëmbëlsirat e shijshme që shërbehen aty, poashtu edhe për bakllavanë e famshme “Angela Merkel”, pagëzuar sipas ish kancelaree gjermane, shkruan Lideri.mk.

Dita e sotme është ditë e veçantë për Dostanën. Për hir të fitores së Rexhep Taiyp Erdogan në zgjedhjet e djeshme në Turqi, ajo ka vendosur të qerasë vizitorët e Çarshisë me embëlsira tullumba dhe me bakllava “Angela Merkel”. Dostana ka vendosur embëlsirat para lokalit. Shumë kalimtarë shërbehen, kurse ata që nuk i vërejnë ëmbëlsirat, ua kujton Dostana duke i thirrë nga banaku i lokalit: “Shërbehuni me ëmbëlsira, merrni për fitoren dhe shëndetin e presidentit Erdogan”.

“Nē Turqi kam jetuar 40 vite. Kemi jetuar në Stamboll, lagjen Zeitynburnu. Kam qenë e krishterë, jam bë muslimane. Kur kemi shkuar nuk ka pasur as ujë, as rrugë. Shumë shtëpi kanë qenë si kasolla. Erdogan e ndryshoi krejtësisht fytyrën e Turqisë për të mirë”, thotë Dostana në bisedë për portalin Lideri.mk duke sqaruar shkaqet pse ka vendosur të qerasë për fitoren e radhës së presidentit turk.

Njësoj thotë se ka qerasur edhe në vitin 2017 për fitoren e ish kancelares Angela Merkel.
“Merkel është një politikane, një zonjë për të cilën kam respekt të madh. Ajo e ngriti jo vetëm Gjermaninë por mbarë Evropën”, thotë Dostana për Lideri.mk.

Pritjet e saj nga fitorja e re e Erdogan janë të mëdha. Ajo shpreson se kjo fitore do të sjellë shumë pozitivitete edhe për Turqinë, por edhe për Ballkanin, duke përfshi Maqedoninë.

“Do të hapen kufijtë. Do të jetë njësoj sukur në Turqi, si në vendin tonë”, shprehet ajo.

Dostana është një nga shumë adhuruesit e presidentit turk në Shkup. Pas shpalljes së rezultateve të djeshme, fitorja e Erdogan është festuar në shumë qytete në vendet e Ballkanit, kurse festa në Shkup ishte ndër më masoviket. (Lideri)