Maqedoni

Edhe një sukses i madh i shkencëtarëve shqiptarë nga Maqedonia që veprojnë jashtë vendit

Prof. dr. Omer Xhemali, Abi Muhtari dhe dr. Muhamed Shemoski

Ditën e Merkur më datë 24.05.2023, në Sarajevë pas procedurës paraprake zgjedhore dhe mendimit të Kryesisë dhe Senatit të Akademisë, në hapësirat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës “Ban Kulin” u mbajt kuvend zgjedhor, në të cilin me votë të fshehtë u zgjodhën anëtarët e rinj të Akademisë. Në mesin e të nominuarve u gjendën edhe tre qytetarë nga vendi ynë, të cilët arritjet e tyre i kanë realizuar jashtë vendit, por këto arritje janë vënë re nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës.

Dr. Omer Xhemali i lindur në Tetovë, është pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore dhe ka të publikuara një numër të madh të hulumtimeve shkencore. Ai është drejtor i kardiokirurgjisë në Klinikën Universitare në Cyrih dhe drejtor i Spitalit të Qytetit Triemli në Cyrih – Zvicër. Ai në mënyrë unanime u zgjodh anëtarë i huaj i Akademisë.

Abi Muhtari nga Raveni – Gostivar, disenjator i medieve konvencionale dhe digjitale, i cili është i etabluar ndërkombëtarisht, krijues i shumë markave ndërkombëtare si në Zvicër ashtu edhe më gjerë, si artist i dalluar në mënyrë unanime u zgjodh anëtarë nderi i Akademisë.

Dr. Muhamed Shemoski nga Pllasnica, autor i disa librave, pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, ka publikuar hulumtime shkencore dhe profesionale për disiplinën e tij shkencore, me diapazonin e gjerë që e posedon në shkencat humanitare tërhoqi vëmendje dhe në mënyrë unanime u zgjodh anëtarë i Akademisë, bashkëpunëtorë dhe, gjithashtu, në mënyrë unanime u zgjodh edhe anëtarë i Senatit të Akademisë.

Në ditën e deklarimit në Ban Kulin, më 29 gusht të këtij viti, e që gjithashtu është edhe Dita e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës “Ban Kulin”, në ora 13, në sallën solemne Atrium në hotel “Evropa” në Sarajevë, me ceremoni solemne do të bëhet ndarja e Kartës për të gjithë anëtarët e Akademisë.

Ky lajm është krenari për vendin tonë, sepse emrat e këtyre tre anëtarëve në këtë Akademi gjenden bashkë me emrat e shkencëtarëve eminent nga të gjitha disiplinat shkencore dhe artistëve akademikë. Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Bosnjës “Ban Kulin” anëtarë i mëhershëm është edhe intelektuali ynë i nderuar Akademik Ferid Muhiq.