Maqedoni

Mexhiti: Drejtorët organizativ të Klinikave patjetër të hiqen sepse janë vetëm barrë ndaj buxhetit

Drejtorët organizativ të Klinikave patjetër të hiqen sepse janë vetëm barrë ndaj buxhetit ndërsa vendosja e një drejtori të vetëm për gjithë Qendrën Klinikë në Shkup do të zgjidh një sërë problemesh me të cilat përballen si pacientët ashtu dhe stafi mjekësor. Ministri i Shëndetësisë me tone të ashpra për funksionimin e Qendrës Klinike dhe në përgjithësi shëndetësisë në vend. Në deklaratë për mediat ai tha se heqja e të gjithë drejtorëve të Klinikave do të përmbyllet deri në fund të këtij viti.

“Informacioni është gati, në marrëveshje me Fondin Shëndetësor, fillimi i vitit pas vitit të ri d.m.th. të gjitha përllogaritjet bëhen atëherë dhe me shumë gjasa pritet që nga 1 janari 2024 të fillojë të funksionojë një Qendër Klinike për të gjithë me një drejtor gjeneral apo si do jenë modalitetet do të marrim vendim në të ardhmen. Jemi në përgatitjet e fundit dhe informacioni do dërgohet në Qeveri dhe kur do e shohim se është momentin i duhur do e dorëzojmë. Deri në fund të vitit kemi kohë. Nuk do kemi më institucione që punojnë me humbje, siç janë “shërbimet e përbashkëta” me 20 milion euro humbje që nuk e dinë as çfarë punojnë… atëherë do ketë bashkëpunim më të mirë ndërmjet Klinikave”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Mexhiti ndërkohë foli dhe për problemin me parkingun brenda Qendrës Klinike, duke thënë se në procedurë e sipër janë dokumentacionet që kanë të bëjnë me zgjidhjen e këtij problem.

“Për mua me rëndësi është shpejtësia dhe cilësia e shërbimit. Të rregullohet shpejtë dhe në mënyrë cilësore. Parkingu do jetë garazhe në kate të montuara që të mund pacientët të parkohen dhe të mos e kemi atë kaos të cilin nuk e meritojmë as si pacientë as si mjek as si shtet të kemi kaos të tillë në zemrën e shtetit tonë – Qendrën Klinike”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Ndër tjera, Mexhiti paralajmëroi shpërndarjen e mjekëve specialist nga kryeqyteti në gjithë territorin e vendit si dhe punësimin e kuadrove të reja në gjithë institucionet shëndetësore në vend. /Alsat.mk