Shkup: Donin të ndërtonin parking në afërsi të poliklinikës “Bit Pazar”, policia arrestoi dy persona
Policia dje ka ndaluar N.K. (44) dhe Sh.D. (42), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Uzurpim” dhe “Ndërtim pa leje”.
Dy personat pasditen e djeshme kanë shembur me ekskavator rrethojën e poliklinikës “Bit Pazar” në Shkup dhe kanë filluar punimet ndërtimore në oborr për të ndërtuar parking.
“Sipas asaj që është raportuar, në ora 19:45 në afërsi të poliklinikës Bit Pazar, kanë hequr një pjesë të rrethojës së objektit shëndetësor me qëllim të uzurpimit të hapësirës dhe ndërtimit të parkingut, për çka nuk kanë marrë leje nga Komuna e Çairit. Për rastin është njoftuar Prokurori Publik dhe pas dokumentimit të plotë do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Siç thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, doktor Viktor Isjanovski, kjo ka ndodhur rreth orës 19:00, pas së cilës roja menjëherë e ka njoftuar personin përgjegjës nga shërbimi teknik i poliklinikës dhe dy drejtorët.