Erdoğan: Sektori i turizmit në Türkiye po përjeton pikën kulmore
Türkiye siç u shpreh presidenti turk u ngjit në vendin e katërt në botë për sa i përket numrit të turistëve në vitin 2021 dhe në vendin e tetë në të ardhurat nga turizmi.
Erdoğan: Sektori i turizmit në Türkiye po përjeton pikën kulmore. / Photo: AA
Türkiye po regjistron shifra të larta në sektorin e turizmit pavarësisht pasojave nga pandemia globale, tha presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdoğan.
“Megjithëse pauzuam gjatë periudhës së pandemisë globale, të gjithë po përjetojmë pikën kulmore të vendit tonë si për sa i përket numrit të turistëve, ashtu edhe të ardhurave nga turizmi”, tha Erdoğan në Asamblenë e Përgjithshme të 7-të të Federatës së Hotelierëve Turq në kryeqytetin Ankara.
Erdoğan shtoi se Türkiye u ngjit në vendin e katërt në botë për sa i përket numrit të turistëve në vitin 2021 dhe në vendin e tetë në të ardhurat nga turizmi, fakt të cilin ai e përshkroi si shenjë se vendi do të arrijë një pozicion edhe më të mirë këtë vit.
Ai theksoi se Türkiye është e përshtatshme për zhvillimin dhe rritjen e sektorit të turizmit me të gjitha rajonet dhe qytetet e saj.
“Në këtë periudhë kur konkurrentët tanë në turizëm kanë humbur vrullin për shkak të efekteve të krizës globale, rruga jonë për t’u ngjitur në lidershipin botëror është e qartë duke punuar shumë më shumë”, tha presidenti turk.
Türkiye synon të shmangë humbjen e mundësive duke e vendosur vendin në qendër të një arkitekture globale, politike dhe ekonomike të riformësuar, shtoi Erdoğan.