Forcat ruse njoftojnë se sot kanë vrarë një ushtar shqiptar që luftonte për Ukrainën (Emri)
Forcat ruse pretendojnë se sot kanë vrarë 200 ushtarë të Ukrainës, në mesin e të cilëve është edhe një shqiptar.
Në listën e publikuar në një kanal në Telegram, janë shpallur emrat e 200 luftëtarëve të vrarë, të cilët aty quhen si “ushtarë të regjimit të Kievit”.
Në mesin e emrave të publikuar ka shumë shtetas të huaj, e mes tyre edhe një nga Shqipëria, shkruan Lideri.mk.
Deri sa për shumicën janë dhënë edhe emri edhe mbiemri, për ushtarin shqiptar është dhënë vetëm emri-Adrian.
Mediumet shqipe më herët kanë publikuar informacione për “Tonyn”, një shqiptar që lufton vullnetarisht kundër pushtuesve rusë në Ukrainë, por për “Adrianin” e permendur sot nuk është shkruar ndonjëherë.
Pala ruse vitin e kaluar publikonte shifra të mëdha për ushtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vende tjera që gjoja luftojnë në anën e Ukrainës, por ato informata janë demantuar nga vendet përkatëse, shkruan Lideri.mk.
Ndryshe mediumet Botërore kanë njoftuar se në vijat e frontit në Ukrainë nuk ka pasur shumë lëvizje prej se forcat e vendit kanë çliruar qytetin e Hersonit nga ushtria pushtuese ruse, nëntorin e kaluar. Por, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se ushtria e tij është tani gati të nisë një kundërofensivë të re. Ai nuk ka specifikuar se kur, por ka thënë se nuk mund të zvarritet pafundësisht. (Lideri.mk)