E rëndë në Itali, shqiptari vret vajzën e tij 16-vjeçare dhe një italian, plagos edhe ish-gruan
Tragjedi në Itali! Një 45-vjeçar shqiptar ka vrarë me thikë vajzën e tij 16-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth mesnatës në një pallat në Torremaggiore të Foggia-s.
Mediat italiane raportojnë se autori i kësaj ngjarje është Taulant Malaj, i cili është vënë në pranga nga policia. 45-vjeçari punonte si bukëpjekës. Ai ka vrarë po ashtu edhe një person tjetër, të quajtur Massimo De Santis, ndërsa ka plagosur edhe ish-bashkëshorten.
Sipas detajeve të para mësohet se Malaj ishte xheloz dhe ka qenë i bindur se gruaja ka pasur një marrëdhënie intime me De Santis. Ky i fundit u vra në shkallët e pallatit.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, dyshohet se ish-gruaja ka ndërhyrë për të ndaluar Malajn, por mbeti e plagosur. Edhe vajza e tij 16-vjeçare dyshohet se ka ndërhyrë për të qetësuar babain, por ra viktimë.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ambulanca pasi fqinjët i lajmëruan si pasojë e të bërtiturave që dëgjuan. Për De Santis ishte shumë vonë ndërhyrja, ndërsa vajza 16-vjeçare ishte akoma gjallë.
Ajo u nis drejt spitalit, por ndërroi jetë rrugës. Nëna e saj nga ana tjetër ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Malaj u ndalua teksa lëvizte pranë ndërtesës. Ai u ka thënë policëve se ishte në kërkim të fëmijës tjetër, një djalë 5 vjeç që e kishte me të njëjtën grua.
Policia thotë se ka sekuestruar armën e krimit, një thikë kuzhine.