Rreth 200 organizata dhe grupe ilegale nacionaliste shqiptare kanë vepruar në ish Jugosllavi
Sevdail DEMIRI
(Fjalë e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e prezantimit të përmbledhjes me dokumente “ILEGALJA SHQIPTARE – PARARENDËSE E RRËNIMIT TË JUGOSLLAVISË”!)
Shumë të nderuar akademikë, studiues, veprimtarë…
Shqipëria dhe dija shkencore shqiptare, gjithmonë kanë qenë frymëzim për ne shqiptarët, që gjatë furtunave historike, u gjendëm padrejtësisht të ndarë, andej kufirit. Prandaj, sa herë që vijmë këtu, në atdheun tonë, qoftë edhe për vizita të zakonshme, ndjehemi si në shtëpinë tonë!
Mirënjohje për drejtuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për mundësinë e dhënë për të bërë këtë prezantim të sotëm!
Para se të flas më konkretisht lidhur me projektin botues që e kemi përpara, më lejoni që në cilësinë e përgjegjësit të botimeve, t’i them disa fjalë në përgjithësi për veprimtarinë botuese të ITShKSh – Shkup.
Instituti ynë, ndonëse me vite relativisht i ri, vetëm 15 vjeç e disa muaj, pas vetes ka një veprimtari të pasur botuese shkencore, veçanërisht në shkencat albanologjike, e më së shumti në gjuhë, letërsi, histori dhe trashëgimi kulturore shqiptare. Por, meqë viteve të fundit gama e veprimtarisë sonë u shtua edhe me disa departamente të reja, tani edhe botimet tona u shtuan me tituj të rinj nga ballkanologjia, trashëgimia e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, Holokausti, marrëdhëniet shqiptare-osmane, etj.
Kështu, fondi i përgjithshëm vjetor botues, ku hyjnë revistat e botimet tjera periodike, si edhe monografitë dhe botimet e ngjashme shkencore, është përafërsisht rreth 30 sosh, ndërsa fondi i plotë i botimeve që nga fillimi e deri më tani, e tejkalon numrin 200. Një pjesë e madhe e tyre janë bërë referenca të rëndësishme të botës akademike shkencore shqiptare, dhe jo vetëm. Duke i pasur parasysh problemet e shumta sistemore, si dhe ndjesinë jo të duhur institucionale për mbështetjen e projekteve shkencore, lirisht mund të themi se ky fond i pasur botues, shkon përtej mundësive tona reale.
Të nderuar të pranishëm,
Tani më lejoni të përqendrohem në përmbledhjen me dokumente “ILEGALJA SHQIPTARE – PARARENDËSE E RRËNIMIT TË JUGOSLLAVISË”, përgatitur për botim nga hulumtuesit shkencorë Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai dhe Besnik Rameti.
Këto dy vëllime, në të vërtetë janë dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, me qendër në Beograd, e që kapin harkun kohor të viteve turbulente 1980-1987. Dokumentet janë marrë në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb, dhe janë pjesë e qindra-mijëra dokumenteve që tanimë i disponon Arkivi Shkencor i Institutit tonë, si rezultat i hulumtimeve të kryera vitin e kaluar nga ekipi i lartpërmendur.
Shumica e këtyre dokumenteve e dosjeve politike, si edhe këto që po i prezantojmë sot para jush, atëherë dhe deri vonë, kanë qenë ‘top sekret shtetëror’, me të cilat janë shërbyer vetëm organet e sigurimit famëkeq jugosllav. Me publikimin e tyre, tani ofrohet mundësia që opinioni shkencor dhe ai publik në përgjithësi, të njihet me politikat shtetërore jugosllave kundrejt shqiptarëve, me planet e tyre për thyerjen e rezistencës kombëtare shqiptare, përmes goditjeve direkte ndaj udhëheqësve të lëvizjes antijugosllave, e cila identifikohej me emrin e madh të kombit tonë – Adem Demaçi.
Siç do të shihni edhe në ballinën e këtyre dy vëllimeve, ilustrimi kryesor është një kartolinë e dërguar nga emigracioni shqiptar në SHBA, drejtuar Demaçit në Burgun e Stara Gradishkës, me porosinë “për ta mbajtur kandilin ndezur”, pra për të mos u shuar kurrë aspirata e luftës për liri, për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Që në hyrje të analizës, vihet re se, sipas tyre, “veprimtaria nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar në territorin e Kosovës dhe më gjerë, është zhvilluar në vazhdimësi që nga çlirimi i vendit. Karakteristika kryesore e saj është veprimtaria e thellë ilegale, subversive dhe aktiviteti i organizuar me idenë kryesore përhapjen e nacionalizmit dhe shovinizmit, duke theksuar në vazhdimësi në mënyrë të hapur apo të fshehtë, nevojën për të luftuar për bashkimin e të gjitha trevave të banuara nga shqiptarë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë nënë”.
Më tej, bëhet e ditur se “në periudhën e përgjithshme të pasluftës janë zbuluar më shumë se 200 organizata dhe grupe ilegale që kanë vepruar nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar me platforma politike dhe përcaktime programore, pak a shumë të modifikuara, të përshtatura kushteve dhe kohës”.
Në veprimtarinë atdhetare një vend të rëndësishëm ka pasur paraqitja e organizatës ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, të cilën në vitin 1963 e ka formuar Adem Demaçi. Kjo organizatë është zbuluar në vitin 1964, kishte rreth 300 anëtarë dhe vepronte praktikisht në të gjithë territorin e Kosovës. Anëtarët e saj, pas vuajtjes së dënimeve, lidheshin përsëri me personat e pazbuluar dhe me bashkëmendimtar tjerë, kështu që organizata vazhdoi veprimtarinë e saj, praktikisht deri në çlirimin e vendit nga Serbia.
Veprimtaria e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” të Demaçit dhe e organizatave tjera ilegale, me nxitje dhe mbështetje edhe nga Shqipëria, e përgatitën terrenin për demonstratat popullore të vitit 1968, kur për herë të parë filloi artikulimi i hapur i kërkesës për Kosovën Republikë.
Siç do të vërehet nga këto dokumente, shumica e veprimtarëve të lëvizjes ilegale shqiptare ishin vendosur dhe të përkushtuar në kauzën e tyre të drejtë, andaj sado që pushteti jugosllav i burgoste, i torturonte e i vriste me metoda më perfide, ata nuk zmbrapseshin nga qëllimet dhe idealet e tyre. Dhe, në vend se kjo lëvizje të ngulfatej nga presioni sistematik i pushtetit, në realitet ndodhte e kundërta. Radhët e tyre shtoheshin nga dita në ditë, dhe ishin bërë digë e fuqishme për të çuar përpara idenë e çlirimit dhe bashkimit kombëtar.
Në të gjitha dokumentet dhe dosjet sekrete të përgatitura nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav, dominojnë impenjimet për veprimtarinë politike të figurave të njohura, si Adem Demaçi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Sabri Novosela, Xhafer Shatri, Emrush Xhemajli, Mehmet Hajrizi, Fazli Veliu, Ali Ahmeti, Hilmi Reçica, Ilmi Zeka, Agim Sulejmani, Zaim Beqiri, Shaqir Shaqiri e shumë të tjerë.
Pas vdekjes së diktatorit jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1980, kishte filluar rënia e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 në Kosovë, ishin pararendëse të rrënimit të atij shteti që padrejtësisht e mbante një popull të pushtuar nga hegjemonia serbe.
Në të vërtetë, të gjitha organizatat ilegale shqiptare të zbuluara pas vitit 1981, e pranuan parullën “Kosova Republikë” si pjesë e rëndësishme e programeve të tyre politike, dhe ky slogan u bë lajtmotivi i veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit. Kërkesa për “Kosovën Republikë”, parashihej të ishte shkalla e parë drejt realizimit të së drejtës universale për vetëvendosje të popujve.
Duke u frymëzuar nga lëvizjet majtiste, marksiste-leniniste në rajon dhe në gjithë bllokun lindor, pjesa dërmuese e këtyre organizatave ilegale shqiptare, udhëhiqeshin nga po ajo ideologji. Por, qëllimi ishte i përbashkët, si edhe i atyre organizatave të pakta me orientim djathtist që dolën gjatë dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore (siç ishte NDSH-ja), pra bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet, duke kërkuar kështu korrigjimin e padrejtëve historike që iu bënë popullit shqiptar.
Për më tej, Sigurimi Shtetëror Jugosllav, në të gjitha dosjet e veta sekrete, e akuzonte drejtpërdrejtë Republikën e Shqipërisë si bazën kryesore të platformës nacionaliste shqiptare për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”. Ata theksonin se roli i Shqipërisë, i institucioneve të saja inteligjente, të sigurisë dhe të propagandës në nxitjen e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar në Jugosllavi, realizohet në disa mënyra, si: përmes mediave publike, propagandës gjysmë legale ose ilegale, duke e ndihmuar dhe drejtuar emigracionin shqiptar jashtë vendit, duke ndihmuar shqiptarët nacionalistë nëpërmjet Përfaqësive Konsullore – Diplomatike të Shqipërisë, etj. Kështu, në vëllimin e dytë të këtyre dokumenteve, botohet edhe një listë jo e plotë e personave të dënuar si bashkëpunëtorë të ShISh-it.
Këto dy vëllime janë përplot me kualifikime, emërtime, tabela, harta e statistika lidhur me grupet ilegale shqiptare anembanë ish – Jugosllavisë. Sigurimi Shtetëror Jugosllav jep të dhëna më të detajuara për 152 grupe dhe organizata ilegale shqiptare të zbuluara gjatë viteve 1980-1987, me gjithsej 1.740 anëtarë, ku numrin më të madh e përbëjnë rinia, nxënësit dhe studentët (plot 940 sosh). Për të gjithë të akuzuarit e të dënuarit në forma të ndryshme, jepen të dhëna të shkurtra biografike si dhe përshkrimi i veprës me të cilën ngarkoheshin. Siç edhe pranohet nga vetë sigurimsat jugosllavë, realisht ka pasur edhe shumë më tepër persona të angazhuar në veprimtarinë e tillë ilegale, por që pushteti nuk kishte arritur t’i zbulojë. Me fjalë të tjera, i bie se gati në çdo qytet, fshat, lagje e familje atdhetare shqiptare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, ishte ndezur kandili i qëndresës kolektive kombëtare antijugosllave, që kishte për qëllim lirinë dhe pavarësinë.
Publikimi i këtyre dy vëllimeve me dokumente jugosllave për lëvizjen ilegale shqiptare, botim i Institutit shqiptar të Shkupit, paraqet kontribut të një rëndësie të veçantë për studiuesit dhe shkencën historike në përgjithësi. Natyrisht se në to nuk përfshihet e gjithë e vërteta e kësaj historie, madje ka mundësi që shumë ngjarje dhe personalitete të caktuara shqiptare, të trajtohen në formë të padrejtë dhe abuzive. Por, duhet të kuptojmë një gjë, se këto dokumente analitike përbëjnë vetëm një perspektivë të rishikimit të problemit shqiptar në Jugosllavi. Për të pasur një vizion më të qartë të këtij problemi, studiuesit seriozë të shkencave historike, do të duhet të përdorin edhe burime të ngjashme arkivore nga shtetet tjera të involvuara apo neutrale, sikurse edhe perspektivën e vetë protagonistëve të atyre ngjarjeve. Vetëm përmes analizës së mirëfilltë të kombinuar shkencore, do të dalin në shesh të vërtetat e mohuara për lëvizjen ilegale shqiptare.
Ju faleminderit shumë për vëmendjen!
Tiranë, 5 maj 2023
Akademia e Shkencave e Shqipërisë