Maqedoni

Gjuha Shqipe në Maqedoni? – Vjosa Osmani: Pakica serbe në Kosovë me 3-4% kanë gjuhën e tyre zyrtare në gjitha nivelet

Duke pasur parasysh rolin kyç që populli shqiptar ka luajtur në historinë e Maqedonisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi se ka ende për t’u bërë në lidhje të avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Sipas saj, diverzitetit është vlerë që veç mund ta ndihmojë shtetin të ecë përpara drejt zhvillimit. Osmani përmendi edhe përdorimin e gjuhës serbe në Kosovë në gjitha nivelet edhe pse serbët janë pakicë shumë e vogël, krahasuar me shqiptarët e Maqedonisë, që janë popull shtetformues, përcjell Klan Macedonia.

“Në Kosovë edhe pse pakica serbe përbën diku 3 deri 4% të popullatës, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në gjitha nivelet, nga niveli nacional tek niveli lokal, ndërkaq gjuhët e pakicave të tjera që janë në përqindje shumë më të ulët njihen në nivelet komunale, varësisht se ku jetojnë, në cilat komuna më shumë. Kjo është një model i mirë që tregon se sa më shumë që ofron barazi, sa më shumë që njerëzi ndihen të përfshirë në procese, në vendimmarrje, aq më shumë mund të japin kontribut në shoqërinë e tyre”, deklaroi presidentja Osmani në Klan Debat.

Raportet nuk normalizohen nëpërmjet letrave dhe dokumenteve, por kur në të dyja anët ke shtete të përgjegjshme që e duan me të vërtetë paqen. Kështu vlerësoi sonte presidentja Vjosa Osmani e ftuar në emisionin Klan Debat me gazetaren Xhumadije Ibrahimi.

Momentalisht, sipas Osmanit, ka vetëm një palë që dëshiron paqe dhe marrëveshje dhe kjo sipas saj, është Kosova. Ndërsa nga ana tjetër, siç theksoi presidentja e Kosovës, është Serbia me një mentalitet të viteve të 90-ta kur kishte vetëm shkatërrim dhe vuajtje.

“Për momentin e kemi vetëm njërën palë, Republikën e Kosovës, që i pranon dhe ushtron këto parime në mënyrë jashtëzakonisht konstruktive, kurse në anën tjetër kemi Serbinë, një shtet që në aspekt të mentalitetit politik është vazhdimësi e asaj që ka tentuar të bëjë Millosheviqi, pra mentalitet i viteve të 90-ta, që për fatë të keq ka dërguar në shkatërrim dhe vuajtje. Është fat i keq për gjithë rajonin, jo vetëm për vet Serbinë, por ne do të vazhdojmë të jemi ashtu siç kemi qenë gjithnjë. Popull paqedashës që kontribuon gjithnjë në zgjidhje paqësore dhe dialogu është natyrisht, mënyra më e mirë për t’u zgjidhur çdo çështje”, u shpreh Vjosa Osmani./KlanMacedonia