Diaspora

Hapet Shkolla Shqipe në Bolonja të Italisë

Në komunën Castenaso në provincën e Bolonjës në Itali, me datë 22 prill 2023 u inaugurua hapja e Shkollës Shqipe, një arritje e madhe për kombin tonë, për mbrojtjen e vlerave të trashigimisë kulturore përmes gjuhës sonë.
Projekti lindi nga komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë, me mbështetje të shoqatave si “Korabi” drejtuar nga Z. Astrit Poti, sipërmarrësve dhe aktorëve të shumtë, bashkëndarës të synimeve primare të kësaj nisme. Shkolla fillimisht do ketë si seli ambientet e qendrës sociale “Casa Sant’Anna”, dhënë në përdorim nga Komuna e Castenasos.
Fjalimin e hapjes e mbajti Znj. Lauriana Sapienza, Këshilltare e Komunës së Castenasos për Politikat Sociale, Emigracionin dhe Inovacionin Dixhital, e cila nënvizoi vlerat e çmuara kulturore dhe bukuritë natyrore të territoreve shqiptare. Ajo theksoi se kjo nismë ka vlera të mëdha dhe do kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqipatare por edhe në përforcimin e miqësisë mes popujve.
Në inaugurimin e Shkollës Shqipe morën pjesë promotorët kryesorë: nga Roma Z. Lorik Cana, kampion futbollist i njohur i kombëtares, Z. Mehmet Prishtina, pasardhës i Hasan Prishtinës, nga Venecia Z. Muharem-Marco Salihu, sipërmarrës i njohur, drejtues i AFEDS dhe mbështetës i gjithanshëm i nismave në favor të vlerave kulturore e sociale të kombit shqiptar, si dhe personalitete të shquara nga Shqipëria dhe Kosova, dashamirës të arsimit dhe të ftuar vendas ndër të tjerë edhe arbëreshë. Emeruesi i përbashkët festiv, pas atyre të njëpasnjëshme fetare, ishte padyshim edhe ky evenimet kulturor.
Integrimi dhe forcimi i kohezionit ndëretnik si vlerë e shtuar do të jetë më i dobishëm, më i shpejtë dhe më i drejtë kur fillon nga bankat shkollore.
Hapja e shkollave shqipe nëpër Evropë do t’a shpejtonte evropianizimin e Ballkanit Perëndimor. Mergata jonë nëpër botë, nuk duhet të lejojë që edukimet e ndryshme fetare, pamvarësisht vlerave të tyre, të zëvendësojnë shkollat tona shqipe apo të jenë alternativë e edukimit primar.
Shoqata “Korabi” me një numër të madh vullnetarësh mërgimtarë shqipetarë të dekadave të fundit por edhe të atyre shekullore-arbëresh në Itali, është dëshmi e krenarisë kombëtare dhe e shpresës së integrimit në Evropë përmes përforcimit të identitetit dhe të vlerave kulturore shqiptare.
Vlerësim maksimal për bujarinë dhe mirëkuptimin e autoriteteve italiane.
AFEDS – Emirjeta Prela
Venezia, 25 Prill 2023