Maqedoni

“Dridhet” sistemi gjyqësor pas letrës së ambasadores amerikane, shkarkohet Dameva, a do të mbijetojë Abazi?

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva është shkarkuar nga funksioni, konstatoi zëvendësi i saj, Selim Ademi. Pas zënkave që kanë zgjatur thuajse katër orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, zëvendësi i saj vendosi që të votohet me ngritje të dorës. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj, transmeton Portalb.mk.

“Kryetarja është e shkarkuar dhe më nuk mund të udhëheqë me seancën. Nesër në ora 11 caktojmë seancë të re. Për sot seanca është e mbyllur”, konstatoi Selim Ademi.

Dameva kërkoi që të konstatohet se i është marrë udëhehqësia në seancë edhe pse ishte e pranishme.

“Kryetari edhe pse është në sallë, zëvendësi në mënyrë arbitrare ia mori udhëheqjen dhe vendosi pikë në rend dite. Unë jam peng i juaj dhe i njerëzve që ju dhanë urdhër që seanca të ndërpritet”, tha Dameva.

Në fund, Dameva tha se nëse ky vendim do të legalizohet, personat e politikës do të jenë të kënaqur.

“Ju falënderoj shumë, më shpëtuat mua, ky vendim është i kundërligjshëm. Por dëshirat e dikujt duhet të plotësohen. Me votimin me shtatë vota, ku nuk është konstatuar as baza për shkarkim, as numri i votave me të cilat miratohet vendimi, më shkarkojnë. Kjo nuk e di si do të përfundojë, përveç që disa persona nga politika do të jenë të kënaqur me këtë. Këshilli Gjyqësor u kyç në anarki. Gjithçka doli nga kontrolli. Në prani time ma marrin të drejtën e fjalës. Zgjedhje bëhet me tetë vota, ndërkaq merret mandati me 7 vota”, tha Dameva.

Paraprakisht në seancë ka pasur zënka dhe kërkesë për shkarkimin e Vesna Damevës nga funksioni i kryetares.

Dameva dhe Ademi kanë pasur edhe përplasje rreth letrës së ambasadores amerikane në Shkup, me kritikat që Ageler i adresoi për Gjykatën e Apelit, raporton Lideri.mk. Ademi ka akuzuar kryetaren e deritanishme se ka fshehur letrën nga opinioni, por ajo është arsyetuar se ka qenë në pushim, duke pyetur Ademin se pse ai nuk e ka publikuar ai letrën e ambasadores amerikane, duke pasur parasysh se edhe ai e ka poseduar atë.

Pas shkarkimit të Danevës, në kuloaret gjyqësore dhe në prokurori po parashtrohet pyetja nëse do të “mbijetojë” kryetari i Prokurorisë për krim të organizuar, Islam Abazi, për mënyrën e zgjedhjes së të cilit poashtu ka pasur vërejtje nga ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler. (Lideri.mk)