Maqedoni

Si raportuan mediat mbi propozimin e Mickoskit për ndryshime kushtetuese sipas “modelit kroat”?

Lideri i VMRO – DPMNE- së, Hristijan Mickoski shpalosi një ide të re mbi ndryshimet kushtetuese. Sipas kreut të së djathtës maqedonase, bullgarët mund të bëhen pjesë e Preambulës së Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, por vetëm sipas modelit kroat, që nënkupton se shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike në vend shpallen pakicë kombëtare.

Preambulën e Kushtetutës së shtetit kroatthuhet:

“Duke u nisur nga faktet historike të paraqitura dhe parimet përgjithësisht të pranuara në botën moderne…, Republika e Kroacisë themelohet si shtet kombëtar i popullit kroat dhe shtet i pjesëtarëve të pakicave kombëtare autoktone: serbëve, çekëve, sllovakëve, italianëve, hungarezëve, hebrenjve, gjermanëve, austriakëve, ukrainasve, rusëve dhe të tjerë, të cilët janë shtetas të saj, të cilëve u garantohet barazia me qytetarët e kombësisë kroate dhe ushtrimi i të drejtave kombëtare në përputhje me normat demokratike të OUN dhe të vendeve të botës së lirë.”

Po, të shohim, si u raportua në media mbi propozimin e liderit të VMRO – DPMNE -së, Hristijan Mickoski që Preambula e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut të kopjojë modelin kroat? Cila ishte qasje etnike e mediave ndaj propozimit? A kishte balancim dhe paanshmëri gjatë raportimit mbi debatin e zhvilluar mbi këtë temë? Si u interpretua propozimi i Mickoskit nga media proqeveritare dhe nga ato proopozitare?

Mediat kryesisht transmetuan me korrektësi deklaratën e Mickoskit

Pjesa më e madhe e mediave të vendit në gjuhën shqipe dhe maqedonase e kanë transmetuar deklaratën e Mickoskit në mënyrë objektive dhe korrekte. Ideja e re e udhëheqësit të opozitës maqedonase u transmetua kryesisht me titullin “Mickoski menjëherë pranon ndryshim të Kushtetutës, sipas modelit kroat” (mediat maqedonase)  dhe Mickoski: “po” ndryshimeve Kushtetuese sipas modelit kroat (mediat shqipe).

Propozimin e liderit të VMRO  qartësisht e shpjegojnë dy tituj të portalit “Plusinfo”:

Në lajmin e parë, në mënyrë korrekte dhe objektive përcillet deklarata e Mickoskit, ndërsa në të dytin transmetohet deklarata e zëdhënëses së VMRO – DPMNE së, Marija Miteva, e cila i bëri ftesë publike pushtetit, “që gjatë ndryshimit të Kushtetutës, ta zbatojmë modelin kroat në tërësi, sa i përket Preambulës”. Me këtë, sipas saj, “Maqedonia do ta ndryshojë karakterin, nga shumëetnik në unitar dhe analogjikisht Maqedonia do të bëhet shtet i popullit maqedonas dhe shtet të cilit i takojnë pakicat kombëtare, që jetojnë këtu”.

Titulli i shkrimit të agjencisë “Meta” theksin e ka vënë te ideja e VMRO – DPMNE- së që shteti të ketë karakter unitar: “VMRO – DPMNE kërkon që Maqedonia më mos të jetë shtet shumë-etnik“. Ky portal citon zëdhënësen Miteva, e cila shpjegonte qëndrimet mbi ndryshimet kushtetuese, sipas së cilave partia e saj pranon që bullgarët të përmenden në Kushtetutë sipas modelit kroat, me kusht që të ndryshohet karakteri shumë-etnik i shtetit.

Nga ana tjetër, portali “Puls24”, qëndrimin e Mickoskit e transmeton me titullin bombastik “Kthesë: Mickoski i gatshëm që nesër t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë sipas modelit kroat“.

Ndërsa dy televizione në gjuhën shqipe, TV 21 dhe TV Shenja, kanë vënë theksin tek deklarimi i Mickoskit se ndryshimet kushtetuese janë të pamundura:

Por, një pjesë e mediave kanë raportuar mbi deklaratën e Mickoskit duke mos bërë kontekstualizim historiko-politik dhe juridik-kushtetues.

E para, me propozimin e Mickoskit, shqiptarët do të emërtoheshin në Preambulë si pakicë, gjë që s’ka ndodhur as pas Luftës së Dytë botërore (1945), as pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut (1991) dhe as pas përfundimit të konfliktit të armatosur (2001) dhe arritjes së Marrëveshjes së Ohrit (2002). Shqiptarët, në komunizëm njiheshin si kombësi, në pluralizëm si nacionalitet dhe pas konfliktit si bashkësi (etnike) apo pjesë e popullit shqiptar.

Gjithashtu mediat i lanë mangët publikut shpjegimin se deklarata e Mickoskit është kundërthënëse. Kjo, pasi, karakteri shumëetnik i shtetit nuk rrezikon modelin e shtetit unitar, siç e përkufizon Marrëveshja e Ohrit.

Në parimin e dytë themelor të Marrëveshjes së Ohrit thuhet qartë:

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike”.

Interpretime mediatike me konotacione politike

Një pjesë e mediave, në vend se të bëjnë kontekstualizime objektive dhe të duhura, kanë gjurmuar deklarata të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në favor të mbështetjes së modelit kroat.

Portali “Kurir”, i cili ka politikë editoriale pro-opozitare, publikoi lajmin me titull “Kovaçevski në deklaratë në vitin 2022 foli për kushtetutën kroate si e pranueshme, sot hesht“. Ky portal citonte kryeministrin të ketë thënë “Ekzistojnë shtete që madje kanë 25 popuj në kushtetutat e tyre, siç është Kroacia”. Por, Kovaçevski, nuk këmbëngul që të numërohen si pakica, por si popuj, apo siç është në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut “pjesë e popullit”.

Qëndrimi i Mickoskit, edhe pse u interpretua si etno-nacionalist, në portalin “Infomax” u komentua si “tradhti”. Në shkrimin me titull “Aq nga patriotizmi: Mickoski filloi hapur të propagojë ndryshimin e Kushtetutës, qenka mënyrë evropiane“, i cili është përzierje e zhanreve lajm dhe koment, thuhet:

“Nga qëndrimi i “fortë” për mosndryshimin e Kushtetutës, si veçori e vetme e mbrojtjes së maqedonizmit, më pas ‘nuk jemi për ndryshimin e kushtetutës në këto rrethana’, Mickoski tani arriti tek propagandimi i hapur për futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Mickoski e tejkaloi Zaevin sa i përket ndryshimeve të qëndrimeve, sepse Zaevi kishte qëndrim për një ditë, Mickoski përgënjeshtrohet nga sot për nesër”.

Komente gazetareske “pro” dhe “kundër” propozimit të Mickoskit

Qëndrim shumë kritik ndaj idesë së Mickoski pati themeluesi dhe kryeredaktori i portalit të ri Racin, Zoran Bojarovski, i cili shkroi komentin me titull “VMRO – DPMNE asnjëherë nuk mësoi të shumëzojë, di vetëm të ndajë“.

“Që në vitet 90-ta, kur shumë çështje, të cilat më vonë u hapën si problem, mund të ishin zgjidhur për çdoherë, VMRO DPMNEja në vend që të pranojë    Kushtetutë qytetare, këmbënguli në akt konstituiv kombëtar, etnikisht i ngjyrosur dhe e ndan popullin.

Ai ishte vetëm hapi i parë drejt ndarjeve të mëtejme, të cilat vazhduan me imponimin e flamurit nga Kutleshi si shtetëror, edhe pse ai nuk ka kurrëfarë lidhje me kontinuitetin e shtetësisë maqedonas dhe në veçanti me konceptin shumëkulturor të Maqedonisë dhe sërish shkaktuan ndarje.

Gjatë kohës së mandatit të tyre, ndarjet që u transferuan edhe në planin ndëretnik dhe në 2001 shkaktuan konfliktin e armatosur me shqiptarët në shtet, shkuan deri aty sa që e ndanë territorin e Maqedonisë me kufi të vendosur në Grupçin”,

Në të vërtetë, VMRO – DPMNE – ja asnjëherë nuk e mësoi konceptin e Maqedonisë. Se ajo është shtet dhe bashkësi e të gjithë popujve që jetojnë në të, edhe gjen “treqind” mënyra të mos e pranojnë këtë, andaj insistuan në terma si “pakica”, “nacionalitete”, “kombësi”, “pjesë e popullit”.”, shkruan Bojarovski.

Që diskursi politik ndikon ndaj atij mediatik, është e ditur dhe e provuar shpesh edhe në Maqedoninë e Veriut. Kështu, gazeta “Nova Makedonija” ka filluar tashmë shqiptarët t’i emërojë me termin pakicë. Gazetarja Jasmina Pavllovska, në tekstin me titull “Një popull konstituiv me më shumë pakica konstituive kombëtare” shkruan:

“Dorën në zemër, në shpalljen e konstituimit të Republikës së Maqedonisë,   deputetët shqiptarë nuk votuan, duke lëshuar mundësinë të jenë element i sinqertë dhe i pastër konstituiv në formimin dhe votimin e shtyllës themelore juridiko politike të shtetit. Për dallim, prej tyre, pakicat tjera votuan për Kushtetutën e shtetit dhe atdheut të tyre. Sot, ata, duke përfshirë edhe pakicën shqiptare me numër më të madh, gëzojnë benefite më të larta pakicore”.

Gazetarja, e cila thirret shumë në mbrojtjen e rendit dhe sistemit kushtetues, në shkrimin e saj nuk respekton parimet themelore kushtetuese, sipas të cilave shqiptarët nuk njihen si pakicë, por si bashkësi apo si pjesë e popullit shqiptar.

Nga ana tjetër, analisti politik Xhelal Neziri, në tekstin me titull “Pse gabon VMRO-DPMNE kur kërkon modelin kroat në RMV?” shkruan:

“Nëse Qeveria dëshiroi ta relativizonte përfshirjen edhe të bullgarëve etnik në kushtetutë, VMRO-DPMNE aty pa një temë tjetër – atë të gradacionit edhe më të theksuar midis etnive shtetformuese të Maqedonisë së Veriut, të cilat në preambulën e Kushtetutës së saj përmenden si “pjesë e popullit”. Pra,    VMRO-DPMNE kërkon shtet ekskluziv të shumicës etnike maqedonase, ku pakicat tjera do të kishin një shkallë të caktuar të të drejtave etno-kulturore.   Me këtë, partia e Hristijan Mickoskit tregon se nuk ka hequr dorë nga projektimi i Maqedonisë së Veriut si një shtëpi të popullit maqedonas, ku nga një dhomë me qira do të kishin edhe etnitë tjera më të vogla. Një koncept etnocentrik i dizajnimit të kombit politik modern, që u braktis pas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar në vitin 2001.”

Citohen edhe parti të vockla, Alternativa interpretohet në dy mënyra

Është evidente se mediat, kur duan të mbështesin ndonjë kauzë apo ide, publikojnë edhe lajme që bazohen tek qëndrimet e partive më të vogla. Portali “Mkd.mk” pulikoi lajmin me titull “Edhe TMRO është për ndryshime kushtetuese sipas modelit kroat“. Në fakt, TMRO është një parti që nuk ka fituar as edhe një deputet në 32 vite pluralizëm, ndërsa më si shumti që ka fituar është ndonjë këshilltar në ndonjë komunë.

Edhe TV Sitel transmetoi qëndrimin mbështetës të një partie tjetër, e cila ka deputetë në kuvend, por nuk ka fuqi relevante politike. “PSM: Parimisht janë të pranueshme ndryshimet kushtetuese sipas modelit kroat” është lajmi i TV Sitel, pronari i së cilit është Goran Ivanov, djali i ish-liderit historik të Partisë Socialiste, Lubisav Ivanov Xingo, gjë që vetvetiu flet për lidhshmërinë kauzale mes medias dhe politikës.

Në anën tjetër, qëndrimi i partisë opozitare Alternativa dëshmon se mediat në raportim kanë qasje etnike. Kjo parti doli me komunikatë në të cilën thuhet: “Duke parë se Maqedonia e Veriut ka një shumicë më të madhe (maqedonasit etnikë – 54%), një shumicë të dytë (shqiptarët – 30%) dhe një grup të minoriteteve (6-7%), propozimi ynë ka qenë që Maqedonia e Veriut të definohet si ‘shtet i kombit maqedonas, kombit shqiptar dhe bashkësive etnike’. Për të qenë kreativë në këtë temë, AlternAtivA e ka edhe propozimin tjetër, që Maqedonia e Veriut të definohet në preambulë si ‘shtet i qytetarëve të saj’, duke i hequr të gjitha atributet etnike nga ndërtimi i shtetit”.

Në mediat në gjuhën shqipe, qëndrimi i kësaj partie u raportua duke i vënë theksin konceptit të ridefinimit. Sa për ilustrim, portali “Zhurnal” raportoi me titullin “AlternAtivA: Nëse ndryshon preambula sipas ndonjë modeli, flasim për temën tonë të Ridefinimit“.

Por, dy media në gjuhën maqedonase, theksin nuk e kanë vënë tek ky propozim, por te propozimi alternativ i Alternativës, që nëse nuk ndodh ridefinimi mbi konceptin etnik, atëherë vendi sipas Preambulës duhet të shpallet shtet qytetar.

Përfundime

Analiza e shembujve mediatik, kryesisht raporteve mbi propozimin e Mickoskit, tregon se mediat shpesh transmetojnë qëndrime politike, pa i vënë në kontekst historik dhe politik, sepse deklaratat e transmetuara të “zhveshura” nga bekgraundi i tyre, i cilës do natyrë qoftë, dëshmon joprofesionalizëm dhe mosrespektim të standardeve gazetareske.

Në disa nga mediat, edhe kësaj radhe, është evidentuar qasja etnocentrike. Për mediat shqiptare propozimi e ul pozicionin juridik-kushtetues të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, për mediat maqedonase, kryesisht ato që i takojnë proveniencës proopozitare, propozimi është i bazuar dhe në favor të zhvillimit të vendit.

Po ashtu, e ndryshme ka qenë edhe dioptria politike me të cilën është parë propozimi.  Në mediat proopozitare modeli kroat arsyetohej dhe mbrohej, në mediat proqeveritare shihej me skepticizëm dhe kundërshtohej.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut