Maqedoni

Qyteti i Shkupit ka nënshkruar marrëveshje 200 milionë euro pa dijen e Danella Arsovskës?!

Pas disa muajsh zvarritje dhe përplasje politike nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e stacionit filtrues të ujërave të zeza në Shkup. Përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit, disa ditë më parë, kanë nënshkruar kontratë me kompaninë që do të realizojë punimet si dhe me kompaninë mbikëqyrëse të punimeve. Nga Qyteti i Shkupit thonë për Alsat se Arsovksa nuk ka nënshkruar asnjë lloj kontrate.

“Qyteti i Shkupit nuk është nënshkruese e asnjë marrëveshje, ndërsa kryetarja e Qytetit është çdo ditë në terren dhe në mesin e qytetarëve duke i realizuar projektet e të cilat ata i sabotojnë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Por nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor konfirmojnë se kontratat janë nënshkruar dhe për këtë i ka njoftuar Ndërmarrja e ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Më 12 prill, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka pranuar një email zyrtar nga zyra e projektit në ‘Ujësjellësi dhe Kanalizime’, e cila ka zbatuar procedurën. Ata na njoftuan se tenderi ishte i suksesshëm dhe kontratat për ndërtim dhe mbikëqyrje ishin lidhur. Me kaq kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe së shpejti duhet të nisë realizimi i këtij projekti të madh dhe kapital për kryeqytetin”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Për informatat se Kontrata është nënshkruar, reaguan në VMRO-DPMNE. Nga partia e Mickovskit thonë se Arsovska e nënshkroi marrëveshjen dhe fshihet nga opinioni pasi për këtë projekt me dhunë e shkarkoi nga detyra ish-drejtorin e ujësjellësit, Zllatko Perinski.

“Bëhet fjalë për marrëveshjen e njëjtë të Bankës evropiane për investime, për projekt në të cilin kryetarja e Bankës e demantoi Arsovskën dhe ia nxori gënjeshtrat në sipërfaqe. Tani Arsovska, e nënshkruan marrëveshjen e njëjtë me çka pranonë se në mënyrë të rrejshme e ka akuzuar ish-drejtorin Zllatko Perinski se ka ndikuar në dokumentet e tenderit dhe me dhunë e shkarkoi atë nga pozita e drejtorit prej tek Ujësjellësi dhe Kanalizimi PO ashtu rikujtojmë se as Arsovska komentoi diçka kundër pushtetit dhe nuk i ndryshoi anëtarët e komisionit siç thoshte në akuzën e rrejshme”, deklaroi Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Ndërtimi i stacionit filtrues për ujërat e zeza në Shkup është projekt që kap vlerën prej 200 milionë eurove, nga të cilat 136 milionë euro janë kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe 70 milionë euro janë grant i pakthyeshëm nga Bashkimi Europian. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza do të shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh, në komunën e Gazi Babës, në bregun e majtë të lumit Vardar, në zonën e Trubarevës. /Alsat.mk