Rajon - Botë

I dyshuari për rrjedhjen e dokumenteve top sekrete amerikane do të dalë në gjyq në Boston

Një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA-së do të dalë në gjykatë të premten në Boston, Massachusetts, i akuzuar në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara të inteligjencës ushtarake mbi luftën në Ukrainë.

Jack Teixeira, 21 vjeç, u arrestua të enjten nga FBI-ja në shtëpinë e tij në Dighton, Massachusetts.

Teixeira është identifikuar si drejtuesi i një grupi bisedash në internet kur dokumentet dolën për herë të parë.

Ai akuzohet për tërheqjen dhe publikim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar.

Rrjedhjet e dokumenteve zbuluan vlerësimet e SHBA-së për luftën në Ukrainë si dhe informacione sekrete të ndjeshme për aleatët amerikanë, duke vënë në siklet Washingtonin dhe duke paraqitur rreziqe për sigurinë kombëtare.